Politike

A ishte vërtet Edi Rama tre hapa para Ilir Metës?

Firmosja e dekretit që anulon 30 qershorin paraditen e së hënës u paralajmërua nga ana e Presidentit Ilir Meta që të shtunën, thuajse në të njëjtën kohë që opozita niste protestën e saj të tetë kombëtare para godinës së Kryeministrisë.

Përmes një deklarate, Presidenti njoftonte se kishte vendosur shfuqizimin e dekretit të nëntorit të 2018, me anë të të cilit kishte përcaktuar datën për zgjedhjet e pushtetit vendor dhe sqaronte se këtë të hënë do të jepte argumentet juridike se ku e bazonte këtë vendim.

Si kjo deklaratë e Metës, ashtu edhe protesta e tetë e opozitës para Kryeministrisë e gjeti Edi Ramën në një takim elektoral në qytetin e Beratit, bastion i socialistëve. Rama e mori lajmin në momentin që ishte duke iu drejtuar dhe kërkuar të pranishmëve votën për kandidaturën e tyre për Bashkinë, Ervin Demo.

“Sapo më njoftuan se Presidenti paska marrë vendim për anulimin e datës së zgjedhjeve. Përsëri gabim, por po ju them që zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Kjo nuk është asgjë tjetër, veçse mbyllja e një plani të bërë me kohë për një arsye të vetme, për arsyen se nuk kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, kërkohet marrja zvarrë e kësaj qeverie dhe kërkohet varrimi i Reformës në Drejtësi. Nuk ka asgjë tjetër. As këtë qeveri nuk e marrin dot zvarrë dhe as Reformën në Drejtësi nuk e varrosin dot. Zgjedhjet nuk janë të partive, as të Presidentit, janë të popullit shqiptar. E kuptoni se çfarë çorapi duan ta bëjë këta Shqipërinë dhe jetën demokratike? E kuptoni se këta duan t’u thonë shqiptarëve se ky vend nuk bëhet”, reagoi Rama.

Më tej, duke folur me termat e lojës së shahut, me të cilin “luajti” me Presidentin Meta në rastin e dekretimit të Sandër Lleshajt si ministër të Brendshëm dhe të Gent Cakajt si ministër të Jashtëm, Rama tha se e kishte parashikuar këtë lëvizje dhe se nuk ishte zënë në befasi prej kësaj.

“Asnjëherë deri më sot nuk më pak surprizuar dhe nuk më kanë kapur në befasi. Unë jam gjithmonë tre hapa para”, tha ai.

Rama deklaroi menjëherë se zgjedhjet do të zhvillohen dhe se vendimi i Metës ishte nul nga ana ligjore. Por, a e kishte parashikuar vërtet mazhorancë këtë lëvizje të Ilir Metës? Deklaratat e bëra nga drejtues të Qeverisë, Parlamentit dhe të Partisë Socialiste sugjerojnë që jo. Ka një koordinim, por mungon qartësia mes qëndrimeve të mbajtura se cila rrugë do të ndiqet për t’iu vënë Presidentit.

Menjëherë pas deklaratës së Ramës që e cilësoi nul vendimin dhe premtimit se zgjedhjet do të mbahen, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla bëri një deklarate me të njëjtën përmbajtje ditën e shtunë.

Të shtunën nga mazhoranca folën për një vendim “nul”, pra për një vendim të pavlefshëm dhe pa asnjë efekt ligjor. Të dielën qëndrimi ndryshoi. Nga “nul” dhe i pavlefshëm, në radhët e mazhorancës nisi gjetja e institucionit se ku mund ta ankimonte dekretin e Presidentit që anulonte 30 qershorin.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, mes mundësive të përmendura nga mazhoranca ishte Gjykata Administrative. Konstitucionalistët Sokol Hazizaj dhe Kristaq Kume e hodhën poshtë këtë ide, duke deklaruar se dekreti i Presidentit nuk ishte një akt individual, por një akt normativ i lidhur ngushtë me funksionet e tij dhe ankimimi ndaj këtij dekreti bëhet vetëm në Gjykatën Kushtetuese.

Të hënën, pasi Meta firmosi të bardhë mbi të zezë dekretin e paralajmëruar dhe dha për 40 minuta arsyet e tij se përse po e shfuqizonte 30 qershorin, Partia Socialiste mblodhi Kryesinë e saj. Nga kjo kryesi doli një tjetër opsion. Ai ishte shqyrtimi dhe rrëzimi i dekretit të Presidentit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor.

KQZ u thirr në mbledhje nga Denar Biba. Kryetari Klement Zguri refuzoi pjesëmarrjen duke deklaruar se nuk ishte KQZ institucioni që mund të interpretonte kushtetueshmërinë e vendimeve të Presidentit të Republikës. Biba, si zv.kryetar mori drejtimin. Ai tha se Presidenti nuk ka të drejtë të anulojë zgjedhjet, se vendimi ishte nuk dhe propozoi që KQZ të vazhdojë me punë përgatitore për zgjedhjet e 30 qershorit.

Këto janë tre qëndrimet e mbajtura nga mazhoranca në harkun kohor të më pak se tre ditëve për të kundërshtuar dekretin e Presidentit. Tre të tilla në kaq pak kohë nuk e provojnë që shumca u kap juridikisht e papërgatitur përballë vendimit të Presidentit, por nuk provojnë as që Edi Rama ishte tre hapa para Ilir Metës.

 

Më Shumë