Analize

A ishin shqiptarët vendimtarë për referendumin në Maqedoni?

Të konsideruar si asi "nën mëngë" i kryeministri Zoran Zaev për kalimin e marrëveshjes me Greqinë, të gjithë shpresonin se shqiptarët e Maqedonisë do të votonin masivisht në favor të ndryshimit të emrit, duke i dhënë fund kështu bllokadës për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Por edhe pse kishte pritshmëri të mëdha, shqiptarët nuk dolën të votonin 100%. Sipas të dhënave dhe analistëve në Shkup, numri i shqiptarëve që dolën në votim nuk i përmbushi pritshmëritë e kryeministrit Zoran Zaev dhe partive shqiptare që u bashkuan në një koalicion me të.

Të dhënat e votimit, tregojnë se numri i shqiptarëve që dolën në referendumin e së dielës ishte i ngjashëm me atë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Pas mbylljes së qendrave të votimit  disa ekspertë dhe zyrtarë politik në Shkup fajësuan shqiptarët për dështimin e referendumit, duke argumentuar se nuk kishin dalë të votonin. Por a do të mund ta kishin ndryshuar shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, rrjedhën e referendumit?

Të dhënat, tregojnë se në 15 komunat me shumicë shqiptare, pjesëmarrja ishte më e ulët se në zgjedhjet lokale një vit më parë. Në referendum votuan 233,000 shqiptarë, ndërsa në zgjedhjet lokale 261,000.  Kjo do të thotë se numri i votuesve shqiptarë përbente rreth një të tretën e rreth gjashtëqindmijë pjesëmarrësve në referendumin e 30 shtatorit. Duke qenë se nuk kanë pothuajse asnjë lidhje emocionale me emrin Maqedoni, shqiptarët që votuan ishin të gjithë pro marrëveshjes së emrit.

Një shqiptare voton në referendum, Strugë

Por përtej argumenteve të disa analistëve në Shkup, statistikat zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni tregojnë se në të gjitha komunat me shumicë shqiptare pati një pjesëmarrje mbi 50 për qind, për t’i thënë po anëtarësimit në NATO dhe BE. Partitë shqiptare shprehen nga ana tjetër se referendumi nuk arriti të korrte sukses për shkak të bojkotit të votuesve maqedonas dhe thirrjeve nacionaliste nga ana e opozitës. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se shqiptarët demonstruan kapacitete demokratike për integrimin në NATO dhe BE.

"Ata votuan për NATO-n, për Bashkimin Europian dhe për të ardhmen. Ata votuan për paqen, stabilitetin dhe sigurinë", tha kreu i partisë BDI-së. Liderë të tjerë shqiptarë si Thaçi, Kasami,  Gashi dhe Sela thanë se shqiptarët treguan veten duke votuar për NATO dhe BE.

Në moton “Bashkë për Maqedoninë Europiane” të gjitha partitë politike shqiptare iu bashkuan nismës së qeverisë për marrëveshjen me Greqinë. Në rreshtin e parë bashkë më Zaev ishte partia më e madhe politike shqiptare, BDI-ja, të cilës iu bashkua më pas edhe partia më e madhe e opozitës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët. Por si ajo ashtu edhe Lidhja Besa, kanë imponuar disa kushte për përmirësimin e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Gjuha shqipe dhe nacionaliteti.

Disa javë para referendumit, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sinjalizoi se një arsyet pse shqiptarët mund të hezitonin të mbështetnin marrëveshjen me Greqinë, ishe anashkalimi i gjuhës shqipe dhe imponimi që shqiptarët të cilësoheshin si shtetas maqedonas në dokumentet e identifikimin, pas hartimit të marrëveshjes.

“E kemi përshëndetur marrëveshjen me Greqinë, por kemi shprehur edhe shqetësime. Shqetësimet tona kanë të bëjnë me dy çështje. E para ka të bëjë me tendencat për t’iu imponuar shqiptarëve në dokumentet e identitetit ose nacionalitetit në zgjidhjen që është bërë nëpërmjet marrëveshjes, duke u quajtur maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore. E dyta ka të bëjë me anashkalimin e futjes në marrëveshje si gjuhë zyrtare edhe të gjuhës shqipe, aq më tepër tani që ligji i është votuar dy herë”, shtoi Zela.


Një çift shqiptar voton në referendum

“Aleanca do të hyjë me propozimet e veta, në preambulë duhet që qytetarët të ndjehen të barabartë, do të ndërhyjmë në pjesën ku rregullohet përdorimi i gjuhës, do të hiqet definicioni, gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonasja dhe do rregullohet me kushtetutë”, shtoi ai.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe është futur tanimë në një rreth vicioz, pasi bllokuar për të dytën herë nga presidenti Ivanov. Shumë analistë shqiptarë në Shkup parashikuan se marrëveshja me Greqinë do të ishte një mundësi e mirë që partitë shqiptare të këmbëngulnin për zbatimin e disa prej pikave të marrëveshjes së Ohrit, të cilat mund të miratoheshin në parlament, së bashku me ndryshimet kushtetuese të marrëveshjes me Greqinë. Edhe pse Maqedonia ka hartuar një sërë ligjesh për diskriminimin dhe barazinë etnike, shqiptarët vazhdojnë të mbeten të paragjykuar. Të intervistuar nga “Alsat TV” një pjesë  e qytetarëve shqiptarë shprehen se nuk punësohen, se kanë të vështirë të përfaqësohen në Kuvend dhe se të rinjtë diskriminohen në pothuajse të gjitha institucionet. Kornizat kushtetuese dhe ligjore të Maqedonisë garantojnë një gamë të gjerë të të drejtave dhe lirive, por zbatimi i tyre dhe debatet mbi ligjin e diskriminimit kanë krijuar përçarje të mëdha politike. Pavarësisht përpjekjeve, zhvillimet e dy dekadave të fundit kanë prodhuar dy shoqëri paralele që bashkëjetojnë në të njëjtin vend, por kanë shumë pak lidhje me njëra-tjetrën. Me zgjerimin e boshllëqeve etnike dhe shoqërore, qeveria maqedonase duhet të ndërhyje sa më parë për të lidhur fijet e komunikimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Ndryshe nga analistët maqedonas, Sela deklaroi në një konferencë për shtyp pas përfundimit të referendumit se shkaktarja e vetme për dështimin e referendumit për marrëveshjen me Greqinë është qeveria.

“Ne si aleancë jemi të kënaqur që shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht anëtarësimit për NATO dhe BE. Numri i shqiptarëve që votojnë në ciklet tjera zgjedhore është përafërsisht i barabartë. Nuk jemi të habitur, pasi kemi qenë të vetmit që kemi vlerësuar se referendumi është i panevojshëm. Sot është përgjigja më e mirë që Aleanca ka pasur të drejtë. Ka disa shkaqe për rezultatin dhe gjithë këto shkaqe kanë një emër të përbashkët: qeveria. Lista Zgjedhore është mes tjerash shkaktare për dështimin e referendumin. Gjithashtu edhe migrimi i popullsisë. Shkaktarë për dështim është edhe përkrahja e LSDM-së për BDI-në”, tha mes të tjerash Sela.

Pjesëmarrja e ulët, e cila erdhi në radhë të parë si rezultat i një bojkoti nga kundërshtarët e marrëveshjes, ishte një goditje ndaj qeverisë së Zaev, por edhe liderëve perëndimorë, të cilët kanë mbështetur fort marrëveshjen me Greqinë. Më shumë se 91 për qind e votuesve mbështetën ndryshimin e emrit, por pjesëmarrja ishte vetëm rreth 36.9 për qind, shumë më poshtë se 50 përqindshi që votimi të konsiderohej i vlefshëm. Ndryshe nga referendumi për shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia, shqiptarët e Maqedonisë nuk zgjodhën abstenimin,  por është e vështirë të përcaktojmë nëse do të mund të kishin ndryshuar rrjedhën e referendumit.

.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë