Treg

A është Turqia “raketa” e satelitëve shqiptarë në orbitë?

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe këtë të premte deklaratën e së enjtes në Kuvend, ku tha se Shqipëria synon që të dërgojë dy satelitë të saj në hapësirë, madje të premten ai sqaroi se satelitët do të përdoren për vëzhgimin e territorit.

Por, si mund të dërgohen satelitët shqiptarë në orbitë? Askush nuk pret që Shqipëria të ndërtojë një raketë për dërgimin e tyre në hapësirë dhe as ndonjë bazë për lëshimin e tyre. Madje askush nuk pret që Shqipëria të prodhojë vetë këta satelitë. Atëherë nga do të vijnë?

Janë dy mundësi për të arritur qëllimin. E para përmes blerjes së tyre nga kompanitë prodhuese amerikane, ose europiane dhe më pas pajtimi i një kompanie private për lëshimin në hapësirë.

Në këtë rast, kostoja e prodhimit, lëshimit dhe e mirëmbajtjes së tyre në hapësirë, me çmimet e tregut që ofrojnë sot kompanitë perëndimore nuk shkon më pak se 50 milionë euro.

Rruga tjetër, që duket edhe më e mundshmja është përfshirja e Shqipërisë në programin turk të lëshimit në hapësirë të satelitëve. Prej 2018-s, kur Turqia krijoi agjencinë e saj të hapësirës është investuar agresivisht në këtë sektor dhe vetëm në fillim të këtij viti Presidenti turk, Recep Taip Erdogan u takua me Elon Musk për të parë mundësitë e bashkëpunimit në këtë fushë.

Erdogan njoftoi në shkurt të këtij viti një plan ambicioz të zgjerimit të programit hapësinor të Turqisë, që do ta radhiste vendin në klubin e ngushtë të shteteve që kanë pushtuar hapësirën. Objektivi i vendosur nga Erdogan është dërgimi i një sonde turke në Hënë brenda vitit 2023.

Më pas, dërgimi i astronautëve turq në hapësirë, ndërtimi i një porti hapësinor turk dhe zhvillimi i satelitëve të sofistikuar për komunikacion, meteorologji dhe për qëllime ushtarake. Duke shfrytëzuar miqësinë mes dy vendeve, e ndoshta edhe miqësinë personale që Kryeministri Edi Rama ka me Presidentin turk, Ankaraja mund të jetë raketa fluturuese e dy satelitëve shqiptarë në orbitë, por edhe ofruesja e mirëmbajtjes së tyre.

Kostoja në këtë rast për Shqipërinë do të reduktohej në më pak milionë euro, duke pasur parasysh faktin se satelitët shqiptarë mund të jenë një pjesë e papërfillshme ngarkese në dërgimin e flotës së re të satelitëve turq të komunikimit dhe mbikëqyrjes së territorit, që parashikohen të dërgohen vitin e ardhshëm, kur edhe Edi Rama ka thënë se mund të dërgohen satelitët shqiptarë.

Bëhet fjalë për satelitë komercialë. Aktualisht as vetë Turqia nuk është në gjendje që të hedhë satelitët e saj në hapësirë. Por, tregu ka ndryshuar. Nëse deri para 2010 dërgimi i tyre në hapësirë ishte ekskluzivitet i SHBA me Space Shuttle, i BE me ArianeSpace dhe i Rusisë me Soyuz sot pjesën më të madhe të tregut të dërgimit të satelitëve komercialë në hapësirë e dominojnë kompanitë private.

Space X e Elon Musk zë 65 për qind të këtij tregu për shkak të uljes së kostos së lëshimit me Falcon 9, që ulet sërish në Tokë pa u dëmtuar. Çmimin për dërgimin në orbitë për minisatelitët, që klasifikohen ata me peshë nga 10 deri në 100 kilogramë, Space X e ka rreth 250 mijë dollarë.

Në tregun e prodhimit të këëtyre satelitëve kryesore janë kompanitë Rocket Lab, Electron, Firefly, Vector, por edhe shumë kompani të tjera kineze që i kanë ulur ndjeshëm çmimet. Për të blerë një të tillë variant çmimi shkon nga 6 deri në 12 milionë euro.

Pra, të gjitha këto shifra sugjerojnë se dërgimi në hapësirë i dy satelitëve shqiptarë mund të realizohet. Por, sfida mbetet te mirëmbajtja dhe funksionimi i tyre. Për këtë pjesë ndoshta është menduar që të mbulohet nga Agjencia Turke e Hapësirës, në një formë bashkëpunimi të ngjashme si ‘Air Albania’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë