Futboll

A e shiti ndeshjen Luftëtari?

Dënimi shembullor i Skënderbeut me 10 vjet jashtë Kupave të Europës u duk si do t’i vinte kapak njëherë e mirë historisë së trukimit të ndeshjeve nga ekipet shqiptare, të paktën në kompeticionet ndërkombëtare. Por mbrëmjen e së enjtes ky fenomen negativ u shfaq hapur në gjithë përmasat e tij në stadiumin “Elbasan Arena”. Luftëtari, pas 5 golave të pësuar në Letoni, pësoi edhe 3 të tjerë në këtë ndeshje. Sepse duhej t’i pesonte. Në vend që të linte shenjë në pjesëmarrjen e tij historike në Kupat Europës, u soll në mënyrën më bastarde në fushë, duke trukuar hapur. Kush ka parë qoftë edhe një herë futboll në jetën e vet, e kupton qartë se ajo ndeshje ishte anormale. Me siguri që pamjet e golit të tretë të Ventspils në kohën shtesë do të bëjnë xhiron e botës sapo të merren nga mediet e huaja. Ishte komike dhe tragjike në të njëjtën kohë të shihje lojtarët e Luftëtarit të mos lëviznin nga vendi në fundin e ndeshjes, sepse Luftëtari duhej të pësonte edhe një gol. E turpshme!

Një nga komentet e shumta në faqet e basteve online, pasi çudive me koeficientët  e ndeshjes së Luftëtarit 

Sigurisht, lojtarët në fushë nuk veprojnë me mendjen e tyre, kur qëndrojnë si birila. Ajo që habit është se si ka mundësi që një ekip shqiptar guxon të trukojë një ndeshje në momentin kur futbolli ynë është në qendër të vëmendjes, pasi Skënderbeu, ekipi që ka dominuar vitet e fundit në vend, ka marrë jë dënim kapital. Dakord, Skënderbeu është dënuar, sepse është akuzuar për trukim ndeshjesh në një nivel më të lartë të kompeticioneve europiane, në grupet e Europa League, aty ku UEFA nuk toleron aspak, por kjo nuk do të thotë se mund të tolerojë në ndeshjet të tjera. Ndoshta gjirokastritët, si nikoqirë që janë, kanë dashur ta shfrytëzojnë si duhet shansin që u është dhënë. Ndoshta në të ardhmen nuk mund të jenë kurrë në Europë. Nuk është ironi. Presidenti i tyre, i kontaktuar nga shtypi sportiv, kërkoi ta linin rehat, si për të thënë se nuk kishte bërë asgjë ndryshe nga kolegët e tij në të kaluarën.

Fundi i ndeshjes Luftëtari-Ventspils, kur miqtë shënuan golin e barazimit, edhe pse nuk u duhej fare 

Trukimi i ndeshjes as që mund të vihet në diskutim. E kanë treguar qartë koeficientët e kompanive të basteve online, që ishin kundër logjikës të futbollit, duke pasur parasysh minutën dhe rezultatin. Reagimi i specialistëve dhe atyre që ndjekin faqet online të basteve ka qenë i fuqishëm dhe masiv, pasi ishin koeficientë të papranueshëm. Për ta bërë më të kuptueshme: tri minuta para fundit të ndeshjes, kur Luftëtari kryesonte 3-2, fitorja e gjirokastriotëve kuotohej me koeficentin 2.2. Krejtësisht anormale. Në logjikën e ndeshjeve dhe basteve sportive, fitorja e ekipit që kryeson, duke ditur që kanë mbetur vetëm 3 minuta, kuotohet 1.1, 1.2, apo maksimumi 1.3. Ishin vetëm pak minuta lojë dhe goli i radhës së ekipit letonez, edhe pse nuk i hynte fare në punë, kuotohej me 1.8, kur normalisht duhej të kishte një koeficient mbi 4. Përfundimi: miqtë do të shënonin të paktën edhe një gol, siç realisht ndodhi. Kompanitë e specializuara për monitorimin e ndeshjeve, “Federbet” apo edhe “BFDS”, po përgatisin raportet përkatëse, pasi fluksi anormal i basteve në ndeshjen e Luftëtarit, patjetër që është evidentuar. Të dhënat e sistemit “BFDS” u morën për bazë në rastin e dënimit të Skënderbeut, që u kap si “peshku i madh”.

Momenti i golit të tretë të Ventspils. Duket qartë indiferentizimi i mbrojtjes së Luftëtarit (me fanellat bluzi)

Po tani çfarë ndodh? A do të “pijë më ujë” shprehja jonë e famshme “çudia më e madhe, tri ditë zgjat”? Apo UEFA do të ndërhyjë edhe tani, duke synuar t’ia pastrojë ajo futbollit shqiptar plagën që i qëndron e  majisur prej shumë e shumë vitesh? Ndoshta nuk ka kohë të merret me futbollin shqiptar, por rreziku i dënimit ekziston, madje është i madh.

Po FSHF-ja, çfarë bën? Pas kualifikimit të djeshëm ndaj Anorthosis, qeveria e futbollit shqiptar nxitoi të përgëzonte Laçin, por nuk mbajti asnjë qëndrim zyrtar për teatrin e gjirokastritëve. Gjithmonë FSHF-ja ka bërë indiferentin në raste të tilla. Duke mos dashur të prishë arrëdhëniet me klubet, pasi zgjedhjet vijnë shpejt dhe duhet vota, FSHF-ja ka ndikuar negativisht që kjo sëmundje e pashërueshme të përhapet në gjithë trupin e futbollit shqiptar. Nëse do të kishte bërë të kundërtën, situata do të ishte ndryshe, edhe Skënderbeu nuk do të kishte marrë atë dënim. Me dënimet e saj mund ta parandalonte këtë “gangrenë”. Po, sepse ekipet tona nuk do të guxonin më të na turpëronin në këtë farë feje, nëse më parë do të ishin marrë masa konkrete. Skënderbeu, pas dënimit të marrë nga UEFA, që e quajti ekipin korçar “të papërshtatshëm për aktivitetet e saj” në vitin 2016, nuk është përmendur asnjëherë për lëvizje anormale kuotash të basteve në ndeshjet e tij në Europë. Dënimi i dhënë së fundi ishte vazhdim i atij procesi, por që dy vjet më parë klubi korçar u distancua nga fenomeni. Tani po vuan gabimet e të kaluarës. Nëse edhe FSHF-ja do të kishte vepruar si UEFA që në fillim, kur fenomeni i trukimeve u shfaq, me siguri që sot jo vetëm nuk do të kishte arritur në këto përmasa, por sëmundja mund të ishte shëruar me kohë.

Krusejdërs-Skënderbeu 3-2, ndeshja që bëri bujë për trukimin e saj

Historia e ndeshjeve të trukuara nga ekipet shqiptare është mjaft e pasur dhe zë fill vite më parë. Thuajse çdo skuadër shqiptare që ka marrë pjesë në Kupat e Europës, ka hapur portën për përfitime financiare, edhe pse ka shitur nderin e saj. Ndër ndeshjet simbol të trukimit nga ekipet tona në Europë janë Krusejdërs-Skënderbeu 3-2, Skënderbeu-Lokomotivë e Moskës, 0-3, Stabaek-Tirana 4-0, Alesund-Tirana 5-0, Madhëruell-Flamurtari 8-1, Dinamo-Brondi 0-4, Dnepr Mogiler-Laçi 7-1, Teuta në disa raste etj.

Trukimi i ndeshjeve nga ekipet shqiptare shpesh shfaqet hapur edhe në kampionatin kombëtar, sidomos në javët e fundit, kur skenat janë qesharake. Të gjithë mund ta kujtojnë ndeshjen Flamurtari-Teuta, që bëri xhiron e botës pak sezone më parë. Në minutat e fundit të saj skuadra durrsake ia jepte vetë topin kundërshtarit për të shënuar golin e fitores. Në atë kohë klubi vlonjat bëri një denoncim në Prokurori, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit dha dënime individuale për disa lojtarë me anë të të famshmin Komision i Etikës. Çudia zgjati më shumë se 3 ditë, por sërish u mbyll gjithçka pa pasoja. Bashkëpunimi mes FSHF-së dhe Prokurorisë për fenomenin e trukimeve në futbollin tonë është thuajse zero, edhe pse nga UEFA kanë ardhur shpesh dosje voluminoze. E vetmja shpresë për shërimin e futbollit shqiptar është UEFA, me dënimet e saj. Edhe në futboll shpëtimin e kërkojmë te ndërkombëtarët…


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë