Politike

Reforma zgjedhore, a rrezikohet nga konfliktualiteti i vjeshtës?

Deri para nisjes së këtij sesioni parlamentar, mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ishin të vetmet ku mazhoranca dhe opozita diskutonin të qeta dhe të patrazuara mbi porositë e lëna që prej 2013 nga OSBE/ODIHR.

Por, dita e parë e këtij sesioni dhe deklaratat e lëshuara nga të dyja kampet janë një sinjal i fortë që tregojnë se edhe qetësia e diskutimeve për këtë temë rrezikon të trazohet seriozisht.

“Asnjë reformë, asnjë ligj, asnjë akt nuk ka domethënie pa çliruar qeverisjen nga krimi”, deklaroi nga Shkodra kreu i PD-së, Lulzim Basha, që u përgjigjej në distancë ftesave të mazhorancës për bashkëpunim.

Kjo deklaratë i parapriu vendimit të përbashkët PD-LSI për të vendosur marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, si formë bojkoti dhe proteste ndaj qeverisë.

Komisioni i Reformës Zgjedhore u ngrit në vjeshtën e 2017, por mbledhjen e parë e zhvilloi vetëm në qershor të këtij viti, pasi i ishte zgjatur afati i punimeve edhe me gjashtë muaj të tjerë. Nga qershori e deri në korrik janë zhvilluar disa mbledhje dhe një tryezë me temë “Përdorimi i burimeve shtetërore për qëllime elektorale”.

Në të gjitha mbledhjet diskutimet kanë qenë në nivel teknik, ndaj përgjithësisht ka patur një konsensus mes palëve. Çfarë u diskutua? Në mbledhjen e parë u fol për përdorimin e teknologjisë. PD kërkon votimin dhe numërimin elektronik, si një rrugë që minimizon shit-blerjen e votës dhe manipulimin e procesit zgjedhor.

PS është skeptike për zbatimin e elektronikës, ndërsa ndërkombëtarët kanë një qëndrim të ndërmjetëm. Ekspertët e ODIHR u kanë lënë dorë të lirë autoriteteve shqiptare për të vendosur në këtë pjesë, por thonë se votimi dhe numërimi elektronik nuk zgjidh shqetësimin kryesor të opozitës, që është shit-blerja e votës, pasi sipas tyre, ky proces, pra shit-blerja ndodh para se të kryhet votimi dhe jo gjatë tij.

Në tryezën e dytë temë ishte pikërisht shit-blerja e votës. U diskutuan metodat dhe mjetet e përdorura në vende të ndryshme që parandalojnë këtë fenomen, ndërsa opozita foli për një mungesë vullneti nga ana e mazhorancës për të ndëshkuar blerësit e votës, çka sipas saj, nxit këtë fenomen zgjedhje pas zgjedhjesh.

Në këtë tryezë merrnin pjesë ekspertë ndërkombëtarë, mes të cilëve edhe Quentin Reed i Këshillit të Europës. Ai identifikoi disa rrugë se si blihen votat në Shqipëri, që nga shpërndarja e mallrave në ditët para zgjedhjeve në zonat e varfra, e deri tek fshirja e detyrimeve dhe faturave të dritave dhe të ujit. Si mjete parandaluese u cituan transparanca e burimeve financiare të kandidatëve dhe ndëshkimi më i ashpër ndaj blerësit të votës.

Pas këtyre dy takimeve u organizua konferenca me tematikë përdorimin e burimeve financiare shtetërore nga kandidatët. Këtu, ekspertët ndërkombëtarë dhe anëtarë të shoqërisë civile identifikuan si problematikën më të madhe moszbatimin e ligjit zgjedhor, sesa nevojën për ta ndryshuar atë.

Tryeza e tretë lidhej me një temë të vjetër sa vetë pluralizmi shqiptar; votimin e emigrantëve. Veç Komisionit Parlamentar, me këtë temë është angazhuar edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko. Ky i fundit ka paralajmëruar se votimi i emigrantëve kërkon së pari vullnetin politik të të gjitha palëve për të ndryshuar Kushtetutën.

“Kam frikë se do të na duhet që të prekim Kushtetutën për këtë çështje, pasi një nga sistemet, apo një nga modelet e përshtatshme që do të garantojë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputetëve. Me sistemin aktual, nëse do të votohet me kuti, do të na duhet të dërgojmë 12 kuti në qendrat e votimit për diasporën”, deklaroi ai në fillim të muajit gusht.

Mbledhja e katërt u përqendrua tek administrata dhe përdorimi i saj në zgjedhje nga partitë në pushtet. Në të gjitha raportet e OSBE/ODIHR ky shqetësim ngrihet me shqetësimeve kryesore, ndërkohë që opozita solli si shembull deklaratën e Kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e fundit, që ftonte efektivët e policisë për të bërë fushatë dhe votuar për PS-në si shembullin tipik të qasjes së mazhorancës aktuale ndaj administratës.

Tema e fundit e diskutuar ka qenë media dhe roli i saj në proceset zgjedhore. Opozita thotë se ka nevojë për më shumë transparencë për pronësinë dhe të ardhurat e mediave private dhe për një përforcim të pavarësisë transmetuesit publik.

Megjithëse puna është zhvilluar e qetë dhe larg përplasjes mazhorancë-opozitë për temat e tjera, edhe këtu diferencat duken të mëdha.

“Kjo legjislaturë nuk është në kushtet ideale për një procedure reforme. Nga ana tjetër reforma zgjedhore është më e rëndësishmja, edhe ndaj asaj në drejtësi”, deklaronte në fund të janarit, Oerd Bylykbashi.

Tani jemi në shtator dhe për opozitën duket se më e rëndësishme, edhe se reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi është lufta kundër krimit dhe largimi i qeverisë “Rama”.

“Partia Demokratike dhe opozita do vazhdojnë të jenë në krah të qytetarëve në përballje me bandat në Shkodër, Elbasan, Durrës, Vlorë apo kudo ku ato qofshin! Bashkë do çlirojmë qeverisjen dhe vendin nga krimi! Pa kompromis!”, shkroi Basha mëngjesin e së martës në Facebook.

Vetë qeveria “Rama” e ka nisur vjeshtën me sloganin “E gjithë Vëmendja tek Njerëzit” dhe tek reforma në drejtësi, duke sinjalizuar injorimin e akuzave të opozitës.

“Kur duhet të jetë në Tiranë, shkon në Shkodër. Kur duhet të hyjë në zgjedhje, futet në çadër. Kur duhet të shkojë në punë, rrotullohet në gjumë. Kur humbet, shpall fitoren. S’kemi ç’i bëjmë, duhet të bëjmë dhe pa të”, deklaronte mbrëmjen e së hënës përmes rrjeteve sociale, vetë Kryeministri Edi Rama.

Këto janë deklaratat e 24-orëshit të parë të këtij sesioni politik dhe nga ajo që kuptohet deri më tani përmbyllja e reformës zgjedhore dhe paketës ligjore për përmirësimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR, një objektiv i vendosur edhe nga Gramoz Ruçi, duket një mision i pamundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë