Politike

A duhet të thirret Rama dëshmitar apo jo? Komisioni hetimor për zgjedhjet mbyllet pa konsensus

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit u mbyll pa vendim konkret. 

Deputetët socialistë braktisën mbledhjen duke pamundësuar  kuorumin e nevojshëm për miratimin e rregullores.

Mbledhja u shoqërua nga debati lidhur me ata që duhet të dëshmojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi tha se Edi Rama nuk do t’i shpëtojë thirrjes si dëshmitar përpara komisionit.

‘E di unë ku e keni hallin, sepse është përcaktuar që do thirret edhe kryeministri Rama. Do të thirret kryetari juaj, doni apo nuk doni ju dhe kjo nuk do t’i nënshtrohet votimit sepse kështu e thotë ligji” tha Bardhi.

Nënkryetari i Komisionit, Toni Gogo akuzoi opozitën se po mban peng komisionin, duke mos hedhur në votim propozimet e kërkuara nga mazhoranca.

“Doni të na  vendosni ju se kë do thërrasim dëshmitarë, ndërkohë që ky komision është ngritur me kërkesë të pakicës” tha Gogu.

“Dua t’ju kujtoj se zoti Rama ka qenë në komisione hetimore qëkur ka qenë kryetar bashkie. Do ta marrim forcërisht, nuk përbën lajm ajo. Zoti Basha kurrë nuk ka qenë kur është thirrur, nxirrte raporte, njëherë probleme të barkut, njëherë ishte sëmurë. Ju mungon foltorja. Keni një problem që nuk ua zgjidhim dot ne. Nuk ua zgjidhim dot ne hallin që keni midis jush” tha deputetja e PS-së Blerina Gjylameti.

Pas debatit pa thelb dhe largimit të deputetëve të mazhorancës, kryetari i komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj tha se po behen përpjekje për të penguar mbarëvajtjen e komisionit.  

"... Është e drejtë e çdo anëtari të thërrasë dëshmitarë, të kërkojë dokumente, është e drejta për të hetuar, thelbi i komisionit hetimor. Propozimi i z.Naço ishte që kërkesa për të hetime, për të marrë prova, për të thirrur dëshmitarë, t'i nënshtrohej votimit, pra shumicës socialiste, në mënyrë flagrante në kundërshtim me ligjin. Ata kërkojnë që çdo kërkesë e deputetëve për të hetuar do rrëzohej me forcën e kartonëve të atyre që janë në akuzë. Pjesë e një strategjie penguese... Ata kërkojnë që me forcën e kartonit të kufizojnë të drejtën e opozitës për të hetuar", tha Alibeaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë