Shendet

A duhet ta marrim vaksinën kineze Sinovac? Ekspertët shqiptarë janë të ndarë

Nga Anxhela Çelanji - Marrëveshja e beftë e qeverisë shqiptare, me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret” për të sjellë dozat e vaksinës Kineze Coronavac i ka ndarë ekspertët shqiptarë. Kjo pasi deri më tani vaksina ka kryer dy faza klinike, ndërsa e treta është kryer në 3 vende që kanë pranuar të vaksinojnë popullatën e tyre me këtë vaksinë, duke treguar të dhëna të ndryshme në lidhje me efikasitetin, në Brazil rreth 78%, në Indonezi rreth 65.3% dhe në Turqi rreth 83.5 %. Ndërkohë  kjo vaksinë nuk është miratuar nga rregullatorët ndërkombëtarë EMA dhe FDA, por vetëm nga rregullatorë të vendeve ku po përdoret.  Ndryshe nga vaksina Sputnik V për të cilën EMA po kryen vëzhgime, për vaksinat kineze nuk ka asnjë nismë për t’i kontrolluar.

Dritan Ulqinaku, epidemiolog në IShP


Mjeku epidemiolog Dritan Ulqinaku në IShP i tha Gazetasi.al se ka shumë vende që po e përdorin këtë vaksinë dhe deri më tani nuk kanë dalë probleme.
“Besoj që është një vaksinë që po jep rezultat aty ku po aplikohet”, shpjegon Ulqinaku.
Ndërsa në një këndvështrim më të gjerë mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, i tha Gazetasi.al se vaksina në fjalë përveç fazës së parë klinike që është publikuar në 17 nëntor, nuk ka asnjë informacion tjetër.
“Nuk kemi asnjë gjë mbi fazën e tretë, pra të dhëna nuk ka dhe unë nuk kam se çfarë të bazoj mbi efektivitetin dhe sigurinë në numra më të mëdhenj sepse faza e parë dhe e dytë klinike bëhet në numra të vegjël personash. Me kaq informacion sa ka, unë nuk do ta bëja”, shpjegoi Alimehmeti.
Sipas ekspertit, i vetmi informacion shtesë që kemi është nga disa dalje mediatike, por që flasin vetëm për efektivitetin dhe ky është vetëm marketing, sepse nuk dhënë asgjë për të dhënat e plota, një raport të plotë nuk ka nxjerrë asnjë nga këto shtete. Alimehmeti shpjegon se kemi vetëm një mbulim mediatik dhe asnjë studim.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti

“Në Shqipëri ne e kemi fakultative vaksinën dhe si rrjedhojë po t’jua japim njerëzve të dhënat e plota, t’i informojmë mbi të dhënat pastaj vendos edhe vetë personi, por certifikimi është shumë i rëndësishëm dhe unë do prisja certifikimin. Në rast se del keq kush i merr përgjegjësitë, kjo është pyetja që duhet bërë se është kollaj nëse ka përfitime, por nëse dalin pasoja, pra kjo është gjëja që në duhet të mendojmë pak më mirë”, shpjegoi më tëj Alimehmeti për Gazetasi.al.
Ndërkaq mjeku shqiptar në Madrid Kita Sallabanda Diaz i tha Gazetasi.al se nuk ka rrugë tjetër pasi Shqipëria ka mungesa të vaksinës Pfizer, Moderna etj. Sipas tij, është një veprim i detyruar dhe i sforcuar.
“Këtë vaksinë e kanë bërë edhe në vende të tjera me gjithë problemet që ka dhe mungesën e informacionit. Mendoj gjithashtu që Agjencia Shqiptare e Kontrollit të Barnave duhet të thotë fjalën e saj. Çfarë mendon. Gjithsesi rreziku nga Covid-19 është shumë më i madh se nga vaksina”, i tha mjeku Gazetasi.al

Mjeku Shqipëtar në Madrid Kita Sallabanda Diaz

Nga ana tjetër Laidon Shapo, mjeku shqipëtar në Shërbimin Kombëtar në Londër tregon se Shqipëria nuk ka luksin të presë, por tashmë dihet se problemi me vaksinat ruse dhe kineze është se ato mbeten të paçertifikuara nga EMA/FDA apo MHRA.  Mjeku shpjegon se kjo fazë që po kalojmë nga fillimi i vaksinimit me vaksinat e çertifikuara (P&B, Moderna, AZ dhe J&J) është faza e katërt ku mes miliona vaksinimesh shikohet ecuria dhe efektshmeria për të mbrojtur popullatën dhe veçanërisht efektet anësore!
"Shqiperia nuk e ka luksin të presë dhe përdorë vetëm një tip vaksine por duhet patjeter të sigurohet përmes OBSH-së dhe pse jo dhe vendeve që i kanë përdorur këto vaksina deri më sot për këshillim. Vendimi final është i qeverisë Shqiptare dhe Komitetit të Eksperteve dhe ata duhet ta analizojnë me shumë kujdes këtë çështje duke vëne në balance mbrojtjen dhe rreziqet",i tha Shapo Gazetasi.al.

Mjeku Laidon Shapo


U raportua se në nenin dy thuhej se për shkak të sekretit tregtar marrëveshja nuk do të publikohet as në faqen zyrtare të Qeverisë dhe as në Fletoren Zyrtare. Por në vendim nuk kishte asnjë detaj specifik të vaksinave si çmimi, sasia e dozave apo data kur do të merren dozat e para. Për këtë gjë, Zëvendësministrja e katërt e Ministrisë së Shëndetësisë, Eugena Tomi në një intervistë për mediat deklaroi se këto detaje nuk janë të pasqyruara sepse nuk është përfunduar edhe marrëveshja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë