Editorial

A duhet besuar Lulzim Basha?

Lulzim Basha deklaroi të hënën, aksionin opozitar për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia, duke paralajmëruar se me ardhjen e opozitës në pushtet, oligarkëve që rrethojnë qeverinë Rama dhe që kanë përfituar qindra milionë euro nga paratë publike do t’ju sekuestrohen të gjitha këto pasuri të përfituara në mënyrë të dyshimtë apo të paligjshme. Në çdo vend të botës, me probleme kaq të mëdha sociale, ekonomike, me shkallë të lartë të korrupsionit dhe një sistem të kalbur nga klientelizmi, kjo do të ishte një nismë për t’u përshëndetur, përqafuar dhe për të cilën duhej luftuar fort. Një pushtet që po ezaurohet në sytë e publikut me nisma që në rastin më të mirë, janë të dyshimta, nuk do të meritonte të qëndronte asnjë minutë më shumë në këmbë.

Edi Rama ka humbur shumë në sytë e një shumice shqiptarësh të shkolluar dhe me pak memorie historike. Kryeministri që erdhi në pushtet me idenë e shembjes së sistemit kriminal që kishte mbërthyer vendin, pesë vjet më vonë, me tepsinë dhe timonin e vetëm, po tregon se nuk ka qenë më i ndryshëm se paraardhësit. Thjesht ka pasur më shumë fantazi dhe një sistem më të mirë propagandistik për të shitur edhe ajrin që është falas.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se  ndaj  kësaj nisme  të re të opozitës, nuk lindin të paktën dy  pyetje që kanë doza dyshimi brenda.  Pyetja e parë është si do t’ia arrijë Basha kësaj? E dyta është edhe më e rëndësishme se sa para, dhe që në varësi të përgjigjes dhe seriozitetit të Bashës për ta çuar deri në fund procesin ndihmon në përgjigjen edhe të pyetjes së parë: A duhet besuar Basha?

Pasi humbi zgjedhjet e vitit 2009, dhe pasi dyshja Berisha-Basha i vodhi realisht fitoren në Tiranë në vitin 2011, pra pasi humbi të gjithë pushtetin politik personal, Edi Rama filloi ngjitjen drejt qeverisë me akuzën që u kthye në lejtmotiv të opozitës socialiste: Po vjedhin zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, dhe vjedhin Shqipërinë për të vjedhur pushtetin.

Ky postulat i Kryeministrit të sotshëm dhe liderit të at’hershëm të opozitës nuk qëndronte aspak larg të vërtetës. Pushteti i Sali Berishës, pjesë e të cilit ishte edhe Lulzim Basha për vite të tëra u rrethua më skandale e dritëhije të forta, dhe nuk ishin sekret edhe emrat e atyre që PD nisi t’i akuzojë si oligarkë pasi iku nga pushteti, një pjesë e të cilëve po aq shumë sa ortakë të Ramës sot, ishin banorë të përhershëm të paradhomave të Berishës, Bashës, Bodes e të tjerëve në qeveri dje. Janë pothuajse të njëjtët njerëz që përfitonin dje në emrin e qeverisë Berisha, edhe që  sot marrin me firmën e qeverisë Rama.

Këtyre njerëzve iu hakërrehet Lulzim Basha sot, dhe me shumë gjasa, për shumë gjëra me të drejtë. Po, Lulzim Basha ka të drejtë. Rama po qeveris keq dhe po qeveris me një grusht biznesmenësh rreth tij. Por historia është pak më e gjatë se qeverisja e keqe e Edi Ramës.

Është e vërtetë që ka një grusht njerëzish e kompanish që po marrin shumicën e tenderave, prokurimeve të drejtëpërdrejta, koncesioneve të shndërruara në partneritet privat-publik. Shumë nga paratë e dhëna vijnë përmes propozimeve të pakërkuara si term ligjor, por të mirëstudiuara në zyrat dhe tryezat e përbashkëta qeveri-biznes. Ndërsa u bën thirrje shqiptarëve të varfër të shkojnë në zyrat e punës për të kërkuar punë në privat dhe jo në shtet, ekonomia shqiptare është e orientuar nga kontratat që shteti me përfaqësues Edi Ramën u jep bizneseve të mëdha me përaqësues të njëjtët biznesmenë. Jo pa qëllim lista e kompanive më të mëdha të vendit kryesohet nga kompanitë shtetërore, kompanitë private që kanë fituar kontrata shtetërore dhe bankat, përmes të cilave kalojnë të gjithë këto para.

Edi Rama sot është vërtetë i kapur nga një apo më shumë “oligarkë”. Madje, nga të njëjtët oligarkë që dje në opozitë i stigmatizonte, tallte dhe betohej se nuk do t’i afronte as tek shkallët e Kryeministrisë. Por ndërsa dje në opozitë Edi Rama ishte po aq i çliruar, në mos më shumë se Lulzim Basha sot prej shpurës së bizneseve që rrjepin koncesione, PPP, kontrata publike dhe deri licenca kioskash, çdo gjë që pushteti mund të dhurojë. Lulzim Basha dje nuk mund të merrej asesi si shembulli i një qeverisjeje me duar të pastërta dhe të paprekshme nga skandalet klienteliste.

Pa hyrë në historitë me kunetër, vjehërr e kushërinj, në të gjitha postet publike, Lulzim Basha ka ngritur më shumë se një dyshim mbi pastërtinë e figurës së një ministri apo të zgjedhuri në poste publike. Si ministër i Transporteve, Lulzim Basha mban ende njollën e një hetimi të pagjykuar dhe të mbyllur me procedure për 220 milione euro dëm të denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Si ministër i Brendshëm, Lulzim Basha ka njollën e fushatës publicitare Shqipëria pa viza, ku miliona euro u ndanë pa ligj për televizionet dhe gazetat e pushtetit të tij dhe të Sali Berishës, duke hedhur themelet e një sistemi klientelist, të cilin dje Partia Demokratike shfrytëzoi, por me ndërrimin e pushtetit e akuzon. Si kryetar i Bashkisë më të madhe të vendit Lulzim Basha ka “meritën” që nuk abuzoi me lejet e ndërtimit, por kjo edhe për meritë të Edi Ramës që i hoqi nga duart llokmën e madhe të ndërtimeve në qendër të Tiranës. Një ndër zonat më të bukura të kryeqytetit me vila dy dhe tre katëshe ishte planifikuar të bëhej park i madh me pallate e kulla, nëse qeveria socialiste nuk do të kishte vendosur memorandum mosndërtimi në të sapo erdhi në pushtet në 2013. Të gjithë e dinë se biznesmenë shumë pranë tij dhe Shkëlzen Berishës kanë blere thuajse të gjitha vilat qe nesër të mos kishin probleme me pronësinë e truallit.

Një biznesmen ndërtimi, shumë i lidhur me qeverinë e parë Berisha, dhe sot ndër “oligarkët” e qeverisë Rama mbeti pa punë dhe kontrata publike rrugësh për disa vjet gjatë qevrisjes së dytë të Berishës për shkak se nuk pranoi të paguante 40 përqind të kontratës si taksë në një tender ndërtimi rruge në aksin Tiranë - Elbasan, tender të cilin e kishte fituar, por që më pas iu anullua. “Oligarku” i djeshëm i Berishës dhe i sotshëm i Ramës e njihte mirë sistemin për të cilin “pa paguar tek partia dhe njerëzit e partisë nuk merr asgjë” dhe ishte dakord me të, sepse në këtë mënyrë ishte bërë dikush ndër vite dhe me të gjithë ministrat e Transporteve, përfshirë edhe Lulzim Bashën. Deri kur ia dyfishuan “haraçin”.

Pak përpara zgjedhjeve lokale të 2011, në një tryezë, një ish deputeti të Partisë Demokratike, i shpallur “armik” i vjen një mesazh në celular nga një drejtues i lartë i PD së asaj kohe, dhe që në atë kohë drejtonte edhe fushatën në një qark shumë të rëndësishëm të ven dit. Funksionari i lartë i PD kërkonte në mesazh disa qindra milionë lekë të tjera, donacion jo fort i ligjshëm për fushatën e PD në pushtet në qarkun e tij. I vetmi problem ishte se për shkak të ngjashmërisë së emrave, në vend t’ia dërgonte biznesmenit, një personazh shumë i njohur po ti përmendet emri, ia kërkonte gabimisht ish deputetit.

Këto dy shembuj tregojnë se si funksiononte sistemi dje, ku pjesë ishte edhe Lulzim Basha, nga i cili sot asnjë gjë nuk ka ndryshuar. Thjesht është bërë më i sofistikuar dhe ka kapur më lartë biznesin e politikën, i ka bërë bashkë aq sa vështirë se një pjesëtar i tij, qoftë ky lideri i opozitës sot dhe pretendenti për udhëheqës nesër të ndryshojë. Ai do të bëhet pjesë e tij dhe do të përshtatet, sikundër, oligarkia do të përshtatet me huqet e tekat e tij.

Nga dje në sot, ka ndryshuar vetëm pushteti politik, klientët e vjetër kanë ngelur, dhe rrethi i oligarkëve është pasuruar me klientë të rinj. Të gjithë këta nuk shkojnë pas emrit, por pas postit. Të gjithë këta nuk paguajnë se u pëlqen Sali Berisha, Lulzim Basha apo Edi Rama. Paguajnë pushtetin që t’i shpërbleje 10, 100, një mijë herë më shumë. Nesër kur Edi Rama të mos jetë më në pushtet, të gjithë këta do të kalojnë me Lulzim Bashën dhe një tjetër Lulzim apo Edi, sepse sot këta, që u forcuan nga sistemi i djeshëm i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, janë më të fortë se çdo pushtet politik, janë aq të pasur sa të blejnë heshtjen e Bashës nesër.

Prandaj është i pabesueshëm Lulzim Basha, sepse ka qenë pjesë e të njëjtit sistem që sulmon sot, është ulur në tryezë me të njëjtët njerëz, të cilëve sot u përbetohet se do t’u marrë pasuritë. I vetmi kërcënim real është për Edi Ramën, të cilit kërkon t’i marrë pushtetin ekonomik, për të fituar pushtetin politik. Ose për të ndarë këto pushtete, siç Basha mendoi se ndodhi me marrëveshjen e 17 majit.

Problemi sot nuk është vetëm se kemi Edi Ramën në pushtet. Problemi sot është se kemi një Edi Rama edhe në opozitë, gati për të ardhur nesër në pushtet. Dhe për këtë arsye besimi i zgjedhësve do vazhdojë të bjerë dhe njerëzit do ti drejtohen gjithmonë e më pak kutive të votimit. Mes dy të këqijave, ata tani nuk preferojnë më të keqen më të vogël. Refuzojnë që të dyja. Deri kur opozita të fillojë të ringjallë sërish shpresë.

Bordi  Editorial, gazeta "Si" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë