A duhet besuar Lulzim Basha? Këtë pyetje ngritëm ne si Gazetë “Si” pak pasi kreu i Partisë Demokratike publikoi platformën kundër “oligarkisë dhe korrupsionit”, duke renditur një sërë arsyesh se përse udhëheqësi i opozitës mbetet i pabesueshëm për një pjesë të mirë të atyre që thotë e prezanton.
Nuk është e largët koha kur Lulzim Basha ishte pjesë e pushtetit dhe nga dje, deri më sot ka ndryshuar vetëm pushteti politik, klientët e vjetër kanë ngelur dhe rrethi i oligarkëve është pasuruar me klientë të rinj. Të gjithë këta nuk shkojnë pas emrit, por pas postit. Të gjithë këta nuk paguajnë se u pëlqen Sali Berisha, Lulzim Basha apo Edi Rama. Paguajnë pushtetin që t’i shpërblejë 10, 100, 1000 herë më shumë. Nesër kur Edi Rama të mos jetë më në pushtet, të gjithë këta do të kalojnë me Lulzim Bashën apo një tjetër Lulzim apo Edi, sepse sot, këta që u forcuan nga sistemi i djeshëm i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, janë më të fortë se çdo pushtet politik, janë aq të pasur sa të blejnë heshtjen e Bashës nesër.
Sollëm pjesërisht këtë shkrim, sepse Lulzim Basha ‘na u përgjigj’, ndonëse nga studioja e emisionit “Të Paekspozuarit”.
“Detyra ime është t’u bind se nuk do të ikë Rama e do të vijë një Ramë tjetër, por do vijë dikush apo një forcë politike e cila të jetë e detyruar të bëjë atë që thotë sot. Sot po them që për të shkatërruar këtë sistem nuk mjafton të ikë Rama, por duhet të ikin koncensionet e korruptuara, duhet të ikin oligarkët, duhet të ikin kriminelët, duhet të shëndoshet media, duhen bërë disa gjëra. Unë do t’u bind që nesër nuk do marr banditët e Ramës dhe deri më sot unë sjam ulur asnjëherë më kriminelë që prej ditës së parë në politikë. Por kjo nuk mjafton”, deklaroi kreu i PD-së në Neës24.
Por, Lulzim Basha ka qenë pjesë e të njëjtit sistem që sulmon sot, është ulur në tryezë me të njëjtët njerëz, të cilëve sot u përbetohet se do t’u marrë pasuritë, prandaj është i pabesueshëm. I vetmi kërcënim real është për Edi Ramën, të cilit kërkon t’i marrë pushtetin ekonomik, për të fituar pushtetin politik, ose për të ndarë këto pushtete, siç Basha mendoi se ndodhi me marrëveshjen e 17 majit.
E shkuara duket se e penalizon Lulzim Bashën, edhe në momentin kur flet për pastrimin e politikës.
“Atëherë ka rëndësi propozimi kushtetues që kemi bërë për vettingun në politikë, jo se do ta kalojë Rama, apo se nuk do ta kalojë. Nuk është retorikë, por një projekt kushtetues dhe ligjor jo vetëm për ata sot, por edhe për nesër një garanci e qeverisjes së nesërme që nuk do të ketë politikanë të lidhur me krimin”, deklaroi ai në të njëjtën intervistë.
Me nismën e vettingut mund të mos ketë të drejtë, ajo mund të mos jetë plotësisht e sinqertë, por për një gjë ka të drejtë; problemi sot nuk është vetëm se kemi Edi Ramën në pushtet. Problemi sot është se kemi një Edi Rama, edhe në opozitë gati për të ardhur nesër në pushtet dhe për këtë arsye besimi i zgjedhësve do të vazhdojë të bjerë dhe njerëzit do t’u drejtohen gjithmonë e më pak kutive të votimit. Mes dy të këqijave, ata tani nuk preferojnë më të keqen më të vogël. Refuzojnë që të dyja, deri kur opozita të fillojë të ringjallë sërish shpresë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.