Analize

A do t’i rezistojë Kosova presionit të SHBA për heqjen e taksës?

Vendosja e tarifave ndaj mallrave serbe u konsiderua nga shumë ekspertë si “pavarësia e dytë”e Kosovës, por presioni i komunitetit ndërkombëtar ka bërë që Prishtina zyrtare të shfaqet mjaft e lëkundur për mbajtjen në fuqi të këtij vendimi, i cili ka “gjunjëzuar” si rrallëherë Beogradin zyrtar.

Përpara se të përgatitet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, Kosova duket se duhet të arrijë në radhë të parë një marrëveshje të brendshme për heqjen ose të taksave ndaj produkteve serbe, për shkak të përplasjeve midis kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi.

Presionit të komunitetit ndërkombëtar për të tërhequr taksën i është bashkuar së fundmi edhe SHBA-ja, e cila i bëri thirrje Prishtinës të "pezullojë menjëherë" vendimin mbi taksat, pasi sipas Uashingtonit, Kosova nuk fiton asgjë nga ky vendim.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pranuar se zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar heqjen e vendimit për taksën ndaj produkteve serbe, nëpërmjet ambasadorit në Prishtinë, Philip Kosnett. Por kreu i ekzekutivit thotë se vendimi për taksën nuk do të hiqet derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia. “Qëndrimi i SHBA-së erdhi përmes Ambasadorit Amerikan në Kosovë, i cili ka kërkuar pezullim e taksës në mënyrë që t’i hapim rrugën dialogut”, është shprehur ai.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj

Kërkesa e autoriteteve amerikane duket se bëri që kryeministri të mbante një qëndrim më fleksibël, pasi Haradinaj pranoi të hënën idenë se taksa mund të hiqej, por se të gjitha produktet do të duhet të mbajnë flamurin serb, në mënyrë që shqiptarët e Kosovës të vendosin vetë nëse do t’i blejnë ose jo.

Por ndërkohë që Haradinaj bën rezistencë, presidenti Hashim Thaçi i ka bërë thirrje qeverisë që të respektojë këshillat e SHBA-së dhe të tërheqë taksën, duke vënë në dukje se "SHBA është e shqetësuar për veprimet e ndërmarra nga institucionet shtetërore të Kosovës".

"Kjo është një situatë shumë fatkeqe. Pra, tani është momenti i duhur që të respektojmë këshillën e miqve tanë amerikanë, të cilët synojnë të forcojnë pavarësinë e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit" deklaroi Thaçi në një konferencë për shtyp të hënën. Presidenti theksoi edhe njëherë se synimi i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke deklaruar se është i vetëdijshëm për vështirësitë, por se beson në fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian.

“Në javët dhe muajt e ardhshëm duhet të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton pranimin e Kosovës në OKB, njohjen e pavarësisë nga Serbia, e cila do të nënkuptonte edhe njohjen globale të shtetit të Kosovës, që do të thotë konsolidim i plotë i shtetit tonë”, tha Thaçi.“Kjo nënkupton po ashtu që nuk do të ketë kurrë më luftë mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të ketë kufij sipas standardeve evropiane", theksoi ai.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Donald Trump

Thaçi përsëriti edhe njëherë se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, komunat në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) do të bëhen pjesë e Kosovës.

"Edhe Gazivoda (Ujmani), edhe veriu i Mitrovicës dhe Trepça do të jenë pjesë të Republikës së Kosovës, pasi duhet të ndalen përfundimisht nga Serbia ", tha Thaçi, një deklaratë që konfirmoi për shumë ekspertë se presidenti vazhdon të mbështesë tezën për ndryshimin e kufijve mes dy vendeve. Deklarata e tij erdhi pak pasi Thaçi zhvilloi një takim me dy kryesuesit e Ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmetin, duke u dorëzuar një dokumentacion lidhur me procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë.

Presidenti Thaçi deklaroi disa javë më parë për gazetën e njohur amerikane “Washington Post” se Kosova duhet të "marrë parasysh heqjen e tarifave, si një ‘sakrificë’ për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë".

Por edhe pse SHBA-ja është aleatja më e vyer e SHBA-së, kryeministri Haradinaj ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se fillimisht Serbia të njohë pavarësinë, duke paralajmëruar se taksa mund të qëndrojë në fuqi deri në vitin 2022.

Begjet Pacolli

Ndërkohë Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Begjet Pacolli deklaroi javën e kaluar se Kosova nuk mund të kundërshtojë një kërkesë të qartë të Shteteve të Bashkuara.
"Unë nuk besoj se kryeministri Haradinaj do të vepronte kundër interesave të Amerikës," tha Pacolli, duke shtuar se ai do ta këshillojë atë që të marrë në konsideratë kërkesën e SHBA.

Qëndrimi i Haradinajt për këtë çështje duket se u zbut më 18 janar, kur ai kërkoi vetëm një "garanci" për njohjen e ardhshme nga Serbia. "Qeveria e Kosovës do të heqë përkohësisht taksën 100% nëse bashkësia ndërkombëtare garanton se ne do të ulemi dhe të nënshkruajmë marrëveshjen përfundimtare [me Serbinë] e cila duhet të rezultojë në njohjen reciproke", shkroi ai në Facebook.

Duke folur për diplomacinë, Pacolli pranoi se pozicionet e ndryshme të Presidentit dhe Kryeministrit kishin krijuar një konfuzion në lidhje me dialogun me Serbinë.
Qeveria e Kosovës fillimisht vendosi një tarifë prej 10 për qind mbi mallrat serbë më 6 nëntor, duke përmendur "sjelljen negative" të Serbisë dhe ndërmarrjen e një fushate diplomatike ndërkombëtare kundër njohjes së Kosovës.

Vendimi për ta çuar në 100 për qind erdhi më 21 nëntor, një ditë pasi Kosovës iu mohua hyrja në Interpol, për shkak të lobimit të Beogradit zyrtar. Kosova është akuzuar për shkeljen e marrëveshjen e tregtisë së lirë të CEFTA-s, por qeveria deri më tani ka rezistuar presionin ndërkombëtar për të anuluar këtë vendim, edhe pse nuk dihet nëse do t’i rezistojë atij të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë pjesës së parë të këtij vitit, pritet që Shtetet e Bashkuara ta japin maksimumin për t’i vendosur bisedimet dypalëshe mes Beogradit dhe Prishtinës në fazën finale, përmes ndërmjetësimit të Uashingtonit. Por për angazhimin e mëtejshëm , SHBA-ja duket se ka vendosur një kusht: Heqjen e taksave!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë