Analize

A do t’i mbijetojë Erdogan kolapsit ekonomik?

Nga Xhuliana Toci- I ulur në derën e një dyqani të vogël telefonash pranë qendrës së Stambollit, Hasan Kus shprehet më pesimist se kurrë për të ardhmen e ekonomisë së Turqisë. Edhe pse nuk kanë kaluar ende dy muaj nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend, 44-vjeçari beson se situata financiare dhe rënia e lirës turke do të vazhdojë të përkeqësohet pavarësisht fitores së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Pas sanksioneve amerikane, lira turke ka pësuar një rënie dramatike, çmimet po rriten, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se ekonomia turke është pranë kolapsit. Shumë prej tyre kanë filluar tanimë të pyesin veten nëse Presidenti Erdogan do arrijë t’ia mbijetojë këtij kolapsi. 

Ekonomia ka qenë një nga faktorët vendimtar që e ka ndihmuar vazhdimisht Presidentin turk të centralizojë pushtetin. Ai erdhi në pushtet në vitin 2002 me premtimin se do të hapte tregjet, do të forcone ekonominë e Turqisë dhe do të “shpëtonte” lirën, e cila pësoi kolaps, me gjithë përpjekjen e bankave dhe të qeverisë për të mbajtur inflacionin në kontroll.  Dhe në një mënyrë apo në tjetrën, Erdogan ia doli. Ekonomia e Turqisë po vuante nga inflacioni dhe papunësia e lartë, por gjatë viteve të ardhshme, Erdogan arriti të transformojë vendin në një treg në zhvillim duke nxitur tregtinë dhe investimet e huaja.Për shumë vite Turqia të jepte përshtypjen se po përjetonte kohë të arta. Stambolli u kthye në qendrën e rajonit, restorantet dhe klubet mbinë si kërpudhat, pas shiut, ndërkohë që qindra turq u kthyen në vendin e tyre për të çelur biznese e për të vënë pasuri.

Stamboll

Por jeta në parajsë nuk zgjati shumë. Plani i Erdoganit për të pasur më shumë kontroll mbi normat e interesit trembi investitorët. Planet e tij për të kapur pushtetin e kthyen Turqinë në një vend autoritar e të rrezikshëm për të huajit. Arrestimet e njëpasnjëshme të qytetarëve gjermanë dhe holandezë, nën akuzat për terrorizëm bëri që investitorët të mendoheshin dy herë para se të shkonin në Turqi.

Ai është fajësuar vazhdimisht “fuqitë e huaja” për rënien e lirës dhe rritjen e inflacionit, në përpjekje për të manipuluar ekonominë turke. Që kur Rexhep Tajip Erdogan u bë kryeministër, lira ka humbur 65% të vlerës së saj ndaj dollarit amerikan. Ndërkohë që ai fuqizohej dita-ditës, ekonomia turke u fut në një rreth vicioz: investitorët u lanë jashtë lojë, inflacioni vazhdoi të rritej dhe korporatat e kishin gjithnjë e më të vështirë të paguanin grumbujt e mëdha të borxhit në dollarë.

Një pjesë e turqve fajësojnë tanimë pasigurinë e shkaktuar nga politikat e presidentit, ndërkohë që të tjerë thonë se vetëm Erdogan dhe partia e tij mund të ruajë stabilitetin në vend. Duke i shitur një karikues telefoni një prej klientëve, Hasani thotë se populli është i lodhur dhe i pashpresë. Inflacioni tani është një pjesë e përditshme e jetës dhe mund të ndihet kudo. Efektet e tij mund të shihen gjatë blerjes së ushqimeve, në gazit dhe në rritjen e qirave. “Gjithçka po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Ka shumë gjëra që unë nuk mund t’i përballoj më, e lëre më të festoj”, shprehet ai.

Një exchange në Stamboll

A do të mbijetojë Erdogan?

Pas rizgjedhjes së tij në qershor, Erdogan është njëkohësisht më i fuqishëm dhe më dobët se kurrë. Tani ai është kreu i shtetit, kreu i partisë së tij dhe kreu i qeverisë, por po drejton një shtet që po shkon drejt kolapsit.  Ai po i premton vendit të tij një të ardhme të lavdishme, mes një krize të pashembullt ekonomike. Pas betimit si president në qershor të këtij viti, Erdogan premtoi se Turqia së shpejti do të bëhet një nga dhjetë fuqitë më të mëdha ekonomike në botë. Por vetëm një muaj pas këtij premtimi, ekonomia e Turqisë bëri hapa të mëdha pas, sepse si e ka treguar historia autokratët dhe tregjet nuk kanë një marrëdhënie aq të mirë me njëri-tjetrin. Në këto momente, Erdogan është një populist pa një strategji populiste për të ndalur rënien e lirës turke dhe pas asnjë plan të besueshëm për të parandaluar kolapsin e ekonomisë së vendit. Mesazhi i presidentit ndaj mbështetësve të tij ishte se Turqia është përsëri nën rrethim nga komplotistët, një deklaratë që ka funksionuar gjithnjë për turqit dhe ka gjasa të funksionojë sërish.

Shumë analistë thonë se me rritjen e pushtetit, zoti Erdogan është bërë gjithnjë e më i izoluar, duke e rrethuar veten me këshilltarë që përforcojnë pikëpamjet e tij, duke lënë pas dorë ekspertizën e vërtetë. Për muaj me radhë agjencitë e vlerësimit të kredive dhe specialistët e investimeve kanë sinjalizuar që menaxhimi politik i ekonomisë së Turqisë po pengon investitorët, por këto paralajmërime duket se kanë rënë në vesh të shurdhët.

Erdogan e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë ndërmarrjen e reformave kuptimplote ekonomike që mund të rrezikojnë pushtetin e tij. Për pasojë, ekonomia turke, dikur e konsideruar si një nga më të mëdhatë në botën në zhvillim, do të vazhdojë të izolohet duke e bërë të ardhmen edhe më të zymtë për qytetarët turq. Erdogan nuk do të mund t’i fshehë edhe për shumë gjatë rënies së lirës nën qilim. Tashmë turqit po i shohin më sytë e tyre pasojat e keqmenaxhimit ekonomik dhe centralizimit të pushtetit. Sot ata janë më të vetëdijshëm se kurrë për “të këqijat” që kanë ardhur së bashku me autoritarizmin. Edhe mbështetësit më të zjarrtë të Erdoganit nuk mund të mbyllin të sytë përballë rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike. Siç theksojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, Turqia po shkon drejt ditëve të errëta dhe qytetarët turq mund të kuptojnë se retë nuk kanë për t’u zhdukur derisa të ndryshohej  udhëheqësi.

Për mbështetësit e konservatorë të Presidentit Erdogan, akuzat për korrupsion mund të rezultojnë më dëmtuese sesa akuzat për autoritarizëm. Erdogan u bë kryeministër në vitin 2002, duke fituar besnikërinë e turqve të devotshëm që ishin të lodhur nga politikanët e korruptuar. Por tani që Erdogan ka bërë ministër dhëndrin e tij dhe ka zhytur më shumë së kurrë ekonominë, mbështetja për të ka gjasa të bjerë ndeshëm. Si një lider që ka ditur t’u mbijetojë goditjeve të njëpasnjëshme politike, Erdogan do të bëjë të pamundurën t’i mbijetojë edhe kësaj krize. Pas përplasjes me Presidentin Trump, Erdogan mund të ndërmarrë  një ndryshim të politikës së jashtme që do të çonte në largimin e Turqisë nga NATO dhe krijuar lidhje më të forta politike me Rusinë, Kinën dhe Iranin. Si mjet presioni, ai mund të lejojë gjithashtu që tre milionë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi të shkojnë drejt BE-së. Me siguri Erdogan do e gjejë një mënyrë për të mbijetuar, por ekonomia turke jo.

Erdogan mban një fjalim pas fitores në zgjedhje

Burimet: “Washington Post”, “De Spiegel”, “New York Times”, “Al Monitor” 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë