Analize

A do të vijojë Kurti të jetë ‘nën lupën’ e Shteteve të Bashkuara Amerikës?

Nga Megi Iskurti – “Çka me bo unë”, u përgjigj duke qeshur në kufijtë e indiferentizmit Albin Kurti në drejtim të deklaratave të Richard Grenell i cili prej disa ditësh ka akuzuar kryeministrin e Kosovës për prishje të raporteve Kosovë-SHBA.

I pyetur në një televizion lokal, pasi që në krye të fushatës zgjodhi që të bojkotojë të gjithë studiot e mëdha televizive, Kurti deklaroi rishtazi se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara nuk është kurrë më mirë se tani.

Deri tani ai nuk iu ishte përgjigjur katër akuzave të Grenell. Të paktën jo drejtpërdrejtë.

“Ti e di shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i analizojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, tha Kurti të enjten në darkë ndërsa raportet e mira, i justifikoi sipas tij, me faktin se Kosova po blen nga Amerika helikopterët “Black Hawk”.

Ndërsa tha se është koshient që ndonjëherë ka kritika, ai shtoi se duhet të ecin përpara dhe theksoi se raportin me SHBA-në, Kosova nuk e ka vetëm diplomatik por edhe në fushën e mbrojtjes dhe energjisë.

Kurti i ftuar në televizionin lokal “Istog”, duke komentuar deklaratat e Grenell

Nga i gjithë mandati, akuzat më të mëdha në drejtim të izolimit diplomatik të Kosovës, Kurti i ka marrë veçanërisht gjatë dy viteve të fundit.

Por ndërsa përgjigja e tij ndaj tyre ka qenë gjithmonë e njëjta, akuzat e Grenell, të dërguarit të posaçëm të Trump për misionet speciale, ndryshuan disi kursin e gjërave.

Ndërsa fillimisht statuset e Grenell u komentuan nga VetëVendosja si hiç më pak se ‘qëndrime dhe inate personale të tij’, një rishpërndarje e një prej statuseve nga djali i Trump, Donald Trump JR, u duk se shkaktoi ‘një shok politik’ në Kosovë.

Duke shpërndarë statusin ku theksohej se e gjithë bashkësia ndërkombëtare është kundër Kurtit mesazhi i tij la të kuptohej se mendimi për të nuk ishte më inat personal i Grenell. Asfare.

Donald Trump Jr nuk mban asnjë post në mandatin e dytë të babait të tij në Shtëpinë e Bardhë, por ka qenë kyç në zgjedhjen e tij si president.

Që prej momentit të rishpërndarjes së atij statusi, shumë pikëpyetje shoqëruan diskutimet nëpër studiot televizive, këndej e andej kufirit.

A po kalojnë raportet e Kurtit me SHBA-në nën sitën e familjes së Trump? Në rast të fitores së një mandati të dytë, a do të shihen sjelljet e tij me lupë, (siç vetë Kurti pretendoi) nga administrata e Trump?

Me gjithë ndryshimet e menjëhershme në administratë që Trump risolli me ardhjen e tij në pushtet dhe me një sërë vendimesh që po ndërmerr në rrafshin gjeopolitik, nuk është për t’u habitur nëse do të ketë nën objektiv edhe Kosovën. (Kujtojmë që ai i ka kushtuar vëmendje të posaçme edhe në mandatin e mëparshëm ku inicioi edhe Marrëveshjen e Washingtonit për zgjidhjen e krizës në dialogun Kosovë-Serbi, e cila u nënshkrua në prani të tij, në Shtëpinë e Bardhë).

Ndërkohë, opozita në Kosovë e ka kthyer këtë çështje në favor të saj.

Deklaratat e Grenell se “SHBA nuk po investon në Kosovë për shkak të Kurtit”, apo se “narrativa e Kurtit është mashtruese”, për krerët e opozitës në Kosovë janë madje më të zbutura se ç’duhet.

Zërat e tyre për raporte të ulëta, nuk i heshti as vizita e presidentes Vjosa Osmani në SHBA e cila tha në një nga takimet e saj se investimet amerikane në Kosovë janë tërësisht në përputhje me objektivat e administratës së re.

Sipas kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse Kurti zgjidhet sërish kryeministër, Amerika mund të largojë çdo mburojë për Kosovën.

Një vit prej se raportet ‘u lëkundën zyrtarisht’

Ndonëse edhe pse më herët ishte diskutuar për përkeqësimin e marrdhënieve Kosovë-SHBA, kupa duket se u mbush fill një vit më parë.

Shkurtin e 2024-s, kur Kosova lajmëroi ndalimin e përdorimit të dinarit serb, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier deklaroi “pa shumë gjuhë diplomatike” se ky vendim kishte lëkundur seriozisht partneritetin mes dy vendeve.

Të njëjtën tezë, mbajti atëbotë edhe ish-zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili tha se Kurti kishte shkelur të gjithë vijat e kuqe.

Ai deklaroi se SHBA-ja ishte e zhgënjyer nga Vetëvendosja dhe se Kosova duhet të ishte në një linjë si me Amerikën, ashtu edhe me Europën.

Në fillim, qëndrimet e Kurtit qenë idhnake. Mandej, pasi u akuzua jo drejtpërdrejtë edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani se ai “po bënte bixhoz me ndërkombëtarët”, Kurti nisi të ndryshonte disi narrativën e tij.

Tashmë, ai deklaron se me amerikanët “pajtohet për shumicën e gjërave, por jo për gjithçka”.

Një vit më vonë, këtë 9 shkurt, teksa në Kosovë po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe Kurti po garon për një madat të dytë 4 vjeçar, pakgjë ka ndryshuar në këtë drejtim.

Raporti i tij me SHBA-në vijon të jetë në pikëpyetje dhe mesa duket, i tillë do të mbetet edhe nëse ai rizgjidhet në krye të Qeverisë së Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë