Nga Gazeta ‘Si’- Donald Trump Junior, djali i presidentit amerikan, Donald Trump, ka shpërndarë në platformën “X” postimin e Emisarit të Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme, Richard Grenell, në të cilin ai kritikon ashpër kursin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar partner jo të besueshëm për SHBA-në.
Djali i Trumpit ka shpërndarë postimin në profilin e tij që numëron mbi 14 milionë ndjekës, duke i dhënë edhe jehonë kritikave të diplomatit amerikan ndaj kryeministrit të vendit të vogël ballkanik, i cili synon një mandat të ri në krye të qeverisë.

Grenelli ka theksuar para disa ditësh se qeveria e drejtuar nga Kurti nuk ka qenë e besueshme as gjatë mandatit të parë të Trumpit, as gjatë administratës së presidentit demokrat, Joe Biden, të cilin ai e ka përkrahur në garën zgjedhore në SHBA.
Ndërkohë, në një tubim zgjedhor nga Prizreni Kurti, dha tri ‘optika’ kundrejt vetes gjatë kësaj fushate zgjedhore. Një nga ‘ndërkombëtarët’, një tjetër nga Serbia, dhe një nga vetja.
“Ndërkombëtarët po na vështrojnë me lupë, Serbia me dylbi, kurse ne do ta shohim veten në pasqyrë”, tha ai.
Asnjë ndërkombëtar përveç Richard Grenell – i emëruari i Donald Trump për Misione të Posaçme – nuk është deklaruar për vështrime ndaj fushatës zgjedhore të Kurtit.
Grenelli ka kujtuar nëpërmjet një postimi se sikurse republikanët, ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht kreun e ekzekutivit kosovar për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që, sipas tij, destabilizojnë rajonin. Gjithashtu, ai ka konsideruar se edhe aleatët evropianë dhe NATO-ja janë bashkuar kundër Kurtit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.