Rend dhe Ligj

A do të përdoren molotov sot në protestë? Policia e pohon, opozita e mohon

Protestës së paralajmëruar nga opozita i parapriu një deklaratë e Ministrisë së Brendshme, e cila foli për organizimin e një plani kriminal prodhimi dhe shpërndarjeje bombash molotov për t’i përdorur ato kundër punonjësve të policisë.

Në deklaratë, Ministria e Brendshme se ky plan u vu në zbatim në protestën e 11 majit dhe paralajmëroi se i njëjti skenar është përfshirë edhe në protestën e mbrëmjes së të hënës.

“Përdorimi i gazit lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Ai është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik, në përballjet me turmat e dhunshme. Përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi Policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj, nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti. Sipas deklaratave mediatike rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga dhuna. Partia Demokratike reagoi përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi. Ai e cilësoi provokim dhe nxitëse të dhunës deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit.Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët”, thuhet në reagim.

Bardhi tha se PD është e angazhuar për një protestë paqësore. “Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata paërpara përgjegjësisë”, vijoi ai.

Thirrje kundër dhunës drejtuar Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit kanë bërë edhe përfaqësitë diplomatike ndërkombëtare në Tiranë, që nga ambasada amerikane, ajo gjermane, britanike dhe përfaqësia e OSBE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë