Analize

A do të mposhtet Donald Trump?

"Gjithçka që kemi arritur është në rrezik!” Këto ishin fjalët e para me të cilat Presidenti amerikan, Donald Trump, zgjodhi t’u drejtohej për herë të fundit qytetarëve amerikanë, para zgjedhjeve që do të përcaktojnë fatin e presidencës së tij.

Një ditë para zgjedhjeve të mes-mandatit, Trump mbajti tre mitingje, në përpjekje për të bindur votuesit që mbështesin partinë republikane se ai është i vetmi që mund ta mbajë Amerikën "të sigurtë". Megjithëse emri i tij nuk është në asnjë fletëvotim, këto zgjedhje janë një referendum mbi presidencën e Donald Trump. Votimi për zgjedhjen e guvernatorëve dhe përfaqësuesve në Kongresin amerikan vjen në gjysmë gjatë katër viteve të tij në detyrë dhe do të përcaktojnë se sa efektive do të jetë qeveria e tij për dy vitet e ardhshme.

Pas muajsh të tërë fushate, spekulimesh dhe miliarda dollarësh të shpenzuara për reklamat, fletëpalosjesh dhe afishesh, votuesit do të kenë sot fjalën e tyre përfundimtare. Ata vendosin se kush do të ulet në 435 karriget e Dhomës së Përfaqësuesve dhe në 35 nga 100 karriget në Senat, dy organet që përbëjnë Kongresin. Poashtu në SHBA janë duke u zgjedhur edhe guvernatorët e 36 shteteve. Sondazhet tregojnë se kandidatët demokratë kanë përparësi në mbarë vendin. Por a do të përsëritet skenari i dy viteve më parë, kur Trump fitoi Presidencën, pavarësisht se sondazhet favorizonin Hillary Klinton? Nëse jo, çfarë do të sjellë kjo humbje për të?

Presidenti Trump zhvilloi mitingje në Ohajo, Indiana dhe Misuri një ditë para votimit

Me një vëmendje të madhe mediatike dhe me 55 milionë ndjekës të Twitter, presidenti amerikan ia ka dalë ta vendosë veten në qendër të këtyre zgjedhjeve. Trump ka mbajtur mitingje të pafundme në mbështetje të kandidatëve republikanë, por në fund të fundit e ka bërë të qartë se këto zgjedhje janë një referendum mbi Presidencën e tij. Dhe si çdo gjë tjetër kontradiktore në jetën amerikane, Donald Trump ka fituar adhurimin e ndjekësve të tij dhe urrejtjen e kundërshtarët e tij.

Humbje apo fitore për Trump?

Zgjedhjet e mes-mandatit do të vendosin se cila parti do të kontrollojë dy dhomat e Kongresit, i cili vendos për miratimin e legjislacioneve federale. Nëse republikanët mbajnë epërsinë e tyre në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ata mund të ndërtojnë agjendën e tyre dhe atë të Presidentit Trump. Por nëse demokratët do të arrijnë të kontrollojnë njërën ose të dyja dhomat, ata mund të pengojnë ose madje të ndryshojnë planet e zotit Trump.

Presidenti Donald Trump ne Ohio

Sondazhet e mbajtura përgjatë javëve të fundit nga Gallup, CNN,  NBC News, Emerson dhe HarrsionX sugjerojnë se demokratët mund të fitojnë 23 vendet që kanë nevojë për të marrë përsipër Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta 15 vende të tjera shtesë. Sidoqoftë, demokratët pritet që të mos kenë dy vendet që kanë nevojë për të fituar kontrollin e Senatit. Kandidatët demokratë për Dhomën e Përfaqësuesve kanë mbledhur 649 milion dollarë fonde nga donatorë individualë, më shumë se dyfishi i 312 milion dollarëve  të mbledhura nga republikanët. Demokratët shpresojnë të arrijnë  një fitore gjithëpërfshirëse që do të ndryshojë ngjyrimin e hartës politike në SHBA.

Ajo për të cilën zoti Trump dhe republikanët janë më të shqetësuar, është humbja e shumicës në Kongres. Këtu fillon shumica e ligjeve dhe, nëse demokratët marrin kontrollin, ata do të kishin një ndikim të konsiderueshëm jo vetëm në prishjen e agjendës së zotit Trump, por edhe do të promovonin agjendën e tyre. Ata do të duhej të punonin me Senatin, por kontrolli i plotë që ka gëzuar Shtëpia e Bardhë në të dyja dhomat e parlamentit, do të merrte fund. Për më tepër, Kongresi është vendi ku mund të fillojë ndonjë procedurë për shkarkimin e zotit Trump. Ndërsa demokratët kanë vendosur të mos flasin për këtë përpara zgjedhjeve, nëse ata janë shumicë kur të nisë punimet Kongresi i ri në janar, mund të sillen ndryshe. Shumë nga anëtarët e sapozgjedhur, ka gjasa të ushtrojnë presion për këtë, veçanërisht nëse hetimi i Robert Muler sjell diçka të dëmshme për presidentin.

Nëse republikanët do të humbnin njërën nga dhomat, ata ndoshta do të preferonin Senatin. Por edhe nëse ruajnë shumicën në Kongres, senatorët demokratë mund të shkaktojnë të gjitha llojet e problemeve për presidentin duke e thirrur në seanca dëgjimore me grupet e interesit të biznesit, apo mbi konfliktet e dukshme të tij të interesit. Diana Feinshtein, demokratja kryesore në Komisionin e Gjyqësorit të Senatit, tha kohët e fundit se nëse demokratët do të merrnin kontrollin, do të nisin një hetim i ri mbi emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Bret Kavanoug, i cili u akuzua për sulme seksuale nga të paktën 3 gra.

Beto O'Rourke, kandidati dekomtrat  për Teksasin

Rreth 34.3 milionë njerëz kanë hedhur tanimë votat e hershme duke sugjeruar se numri i pjesëmarrësve do të jetë i madh. Ndërkohë në ë Teksas, votimi i hershëm ka tejkaluar të gjithë pjesëmarrjen e vitit 2014. Megjithatë, stuhitë parashikohen për të martën përgjatë bregut lindor, si dhe stuhitë e stuhisë në Midwest, mund të ndikojnë në pjesëmarrjen e votuesve.

Çështjet që dominojnë zgjedhjet

Një faktor i rëndësishëm që të ngjarë të ndikojë në mënyrën sesi do të votojnë qytetarët është edhe karvani i emigrantëve nga Amerika Qendrore, të cilët po enden përmes Meksikës, sipas presidentit për të "pushtuar" Amerikën. Ata janë ende qindra milje larg, dhe po lëvizin këmbë  por Donald Trump ka vendosur mijëra trupa në kufi. Mesazhi i tij për amerikanët është se vetëm ai do ta mbajë Amerikën të sigurtë, ndërkohë që demokratët e kanë akuzuar për përçarjen  e vendit.

Gjatë tubimeve të tij të fundit në Ohajo, Indiana dhe Misuri, Trump u kthye tek çështjet kryesore të fushatës, duke këmbëngulur se demokratët do të dëmtonin ekonominë dhe do të lejonin futjen e emigrantëve ilegalë në SHBA.

Ndërkohë, kandidatët demokratë kanë tentuar të shmangin përballjen e drejtpërdrejtë me presidentin, duke u fokusuar në çështje si pabarazia ekonomike apo shëndetësia. Ata kanë tentuar kryesisht të injorojnë çështjen e emigracionit, duke preferuar të flasin për kujdesin shëndetësor, i cili renditet si një çështje e rëndësishme midis votuesve. Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale, partia demokratike shpreson që votuesit e rinj dhe pakicat të votojnë kundër Trump, për të reaguar ndaj retorikave agresive së presidentit.

Presidenti Donald Trump

Të hënën, Facebook, NBC dhe madje edhe rrjeti i preferuar i zotit Trump, Fox News, njoftuan se do të ndalonin transmetimin e një spoti prej 30 sekondash të financuar nga fushata e tij, e cila paraqiste një emigrant meksikan  pa dokumente. Në një intervistë të hënën, presidenti tha se ai dëshironte që të kishte mbajtur "një ton shumë më të butë" gjatë gjithë presidencës së tij. "Ndjej, në një farë mase, sikur nuk kam zgjedhje tjetër”, deklaroi ai.

Deri më tani, aura e fitimtarit ka shoqëruar kudo miliarderin njujorkez, që kur tronditi mbarë botën duke fituar zgjedhjet presidenciale amerikane. Por a do jenë këto zgjedhje humbja e parë e të “pamposhturit” Donald Trump?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë