Treg

A do të ketë rritje të çmimit të miellit dhe bukës në Shqipëri?

Në botë prodhimi i grurit për këtë vit ka pësuar rritje. Pritet që gjer në fund të vitit të ketë 768.49 milionë tonë grurë, 0.55% më shumë se vitin e kaluar. Por impakti i koronavirusit me kufizimin e lëvizjeve ka paralizuar ndër shumë sektorë të tjerë tregtimi dhe atë të grurit. Kjo është reflektuar me rritje të çmimit të grurit në bursat e kontratave të së ardhmes të këtij produkti.

Në bursat e kontratave të së ardhmes gruri klasifikohet në disa klasa, në bazë të kualitetit të kokrrës së tij, por dy janë ato më të tregtueshmet. Klasa e parë është SRW (Chicago Soft Red Winter) dhe klasa e dytë është HRW (KC Hard Red Winter). Klasa e parë e grurit SRW tregtohet në bursën e Çikagos (Chicago Mercantile Exchange) me 5.154 $ dollarë për shinik (në anglisht bushel) ndërsa klasa e dytë HRW, po në bursën e Çikagos, tregtohet aktualisht me 4.620 $ dollarë për shinik. Tendencat në bursë të çmimeve të grurit, siç i kemi paraqitur në dy grafikët e mëposhtëm, janë në rritje.

Çmimi i kontratave të së ardhmes i grurit SRW
Çmimi i kontratave të së ardhmes i grurit HRW

Krahas impaktit që ky sektor ka pësuar nga koronavirusi, eksportet e Rusisë, vendi nga i cili ne importojmë më së shumti, kanë rënë për këtë periudhë.

Rusia është shprehur në fillim të prillit se si rrjedhojë e rënies së prodhimit të saj të grurit ajo me shumë mundësi do ta ndalojë eksportimin e grurit jashtë vendeve anëtare të Unionit Ekonomik Euroaziatik.

Oksana Lut Ministre e Agrikulturës në Rusi

Oksana Lut Ministria e Agrikulturës është shprehur për Reuters se ky ndalim i eksportimit është bërë kryesisht për të ruajtur rezerva për tregun e brendshëm.  

Në tregun e brendshëm në një intervistë për Gazetën “Si”, zoti Fuat Haxhiymeri, sipërmarrësi i Miell Prima shprehet se, "Rusia i ka ndërprerë eksportet e grurit si dhe në bursa është vënë re një rritje e çmimit të grurit. Por gjer më tani nuk është vënë re ndonjë efekt në rritje të çmimit, në tregun lokal, pasi sipërmarrësit shqiptarë akoma nuk kanë shpenzuar rezervat e tyre të grurit." Sipas tij në fund të qershorit/fillim korrikut pritet që të mbarohen rezervat e atëherë mbase një ndryshim çmimi mund të reflektohet e në tregun shqiptar.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë