Para

A do të funksionojë skema e re Erdogan për të rritur vlerën e lirës ndaj dollarit?

Turqia ka zbuluar një skemë të re për të nxitur eksportuesit që të ulin sasinë e valutave që mbajnë, pasi presidenti Recep Tayyip Erdoğan “është betuar” për të mbrojtur lirën para zgjedhjeve të majit.

Qeveria tha do t’i ofrojë kompanive incentiva të reja për të këmbyer paratë që fitojë jashtë vendit me lira, në këmbim të një zotimi për të mos blerë monedha të huaja.

Programi i ri është sinjali i fundit se si Turqia po nxjerr mjetet e reja për të vlerësuar lirën dhe për të rritur ekonominë e saj 800 mld dollarësh, pak para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare atje. Këto lëvizje vijnë pasi sondazhet po tregonin një pakënaqësi të madhe se si Erdogan e ka menaxhuar situatën ekonomike, bashkë me partinë e tij.

Një koalicion i partive politike opozitare, i njohur si "Tabela e gjashtë", pritet të emërojë një kandidat në javët e ardhshme për të sfiduar Erdoganin, i cili ka qenë në pushtet për dy dekada.

Sipas programit të ri, Turqia do t’i ofrojë 2% “mbështetje konvertimi” kompanive që do të këmbejnë valutat që kanë fituar në lira dhe të betohen se nuk do të blejnë monedha të huaja për një farë kohe. Por nuk është specifikuar asnjë afat.

Deri më tani, eksportuesve u ishte kërkuar të konvertonin 40% të fitimvve të tyre në lira. Por programi i ri ofron një nxitje për kompanitë që të shmangin mbiçmimin e dollarit në favor të lirës. Kompanitë që konvertojnë fonde shtesë në monedhën vendase mund të përdorin gjithashtu një llogari të veçantë për t'u mbrojtur nga luhatjet e lirës.

Liam Peach, një ekonomist në Capital Economics në Londër, tha se nuk është shumë e qartë nëse do ketë realisht ndikim, por është një hap drejt shtrëngimit të politikës monetare.

“Nëse kemi mësuar ndonjë gjë ng Turqia vitin e shkuar është se banka qendrore përfundimisht do të mbyllë çdo vrimë në sistemin financiar për të reduktuar kërkesën për valutë të huaj. Ajo kërkon të rrisë depozitat në lira në 60% nga 36% që ishte janarin e shkuar”.

Lira ra pothuajse 30% në 2022 pasi banka qendrore nominalisht e pavarur, e cila kontrollohet nga Erdogan, uli normat e interesit edhe pse inflacioni arriti kulmin prej 85.5%  në tetor. Shumë ekonomistë thonë se lira do të binte më tej nëse nuk do të kishte pasur masat mbështetëse të qeverisë, të tilla si llogaritë speciale të kursimit të mbrojtura që janë të hapura për bizneset dhe konsumatorët, të cilat kanë ndihmuar në stabilizimin e saj në muajt e fundit.

Turqia gjithashtu shpenzoi 85.5 miliardë dollarë vitin e kaluar duke ndërhyrë në tregun e monedhës në një përpjekje për të ngadalësuar rënien e lirës, ​​sipas vlerësimeve të Goldman Sachs që marrin parasysh valutën e huaj të blerë nga eksportuesit dhe më pas të rishitur në treg.

Banka qendrore tha në një raport të enjten se priste që inflacioni të binte në 22.3% deri në fund të vitit, pasi ai u zbut në 64.3% në dhjetor. Megjithatë, shumë ekonomistë privatë shqetësohen se rritja e çmimeve do të përshpejtohet sërish pas zgjedhjeve, pasi shpenzimet qeveritare të tepruara do të nxisin një tronditje afatshkurtër, por të fuqishme të aktivitetit ekonomik.

Burimi: Financial times/Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë