Analize

A do ta shfarosë Erdogani Shtetin Islamik?

Në përpjekje për të hequr nga shpatullat e tij, betejën për shfarosjen e ISIS-it, presidenti Donald Trump duket se ia ka caktuar këtë mision liderit më të papërshtatshëm: presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Në vend që të përqendrohet tek Shteti Islamik, Erdogan ka shumë të ngjarë ta përdorë këtë mundësi për të luftuar kurdët, duke i dhënë kështu xhihadistëve kohën që u duhet për t’u rigrupuar.

Koha shkon shumë shpejt. Brenda disa muajsh Turqia me sa duket është kthyer nga armike në partneren e Amerikës. Njeriu që presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi për nisjen e një "lufte ekonomike" ndaj Turqisë pritet të vizitojë Ankaranë gjatë muajve të ardhshëm. Madje dy liderët kanë pasur deri 10 telefonata në ditë.

Bashkëpunimi i papritur, lidhet drejtpërdrejt me vendimin e Presidentit Donald Trump për të tërhequr forcat amerikane nga Siria, duke i lënë në dorë Erdoganit mbulimin dhe stabilizimin e të gjithë zonës, edhe pse vetëm dy muaj më parë, kreu turk kishte kërcënuar zyrtarët amerikanë me një "shuplakë otomane" dhe kishte bërë gjithçka që mundi për të komplikuar luftën kundër Shtetit Islamik në Siri.

Askush nuk është i sigurt se pse Trump vendosi më 19 dhjetor tërheqjen e ngadaltë të trupave amerikane nga Siria. Por pas largimit të SHBA-ve, njësitë luftarake kurde (YPG) nga Siria do të duhet të luftojnë në dy fronte, kundër ISIS-it dhe kundër Turqisë.

Presidenti Donald Trump dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në listën e gjatë të çështjeve që kanë ndarë Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë, problemi më i madh ka qenë marrëdhënia ushtarake amerikane me YPG-në. Për ushtarët amerikanë, YPG është forca më e besueshme kundër Shtetit Islamik. Megjithatë, turqit shohin gjërat ndryshe, duke argumentuar se YPG është në fakt Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) me një emër tjetër. PKK, i cilësuar si një grup terrorist nga Uashingtoni dhe Ankaraja, po zhvillon një fushatë të dhunshme kundër Turqisë që nga vitet 1980. Ankaraja kishte frikë se Shtetet e Bashkuara mund të hynin mes tyre dhe kurdëve. Kjo është edhe arsyeja pse Trump do të vizitojë Turqinë.

Në parim, nuk është një ide e keqe të bashkëpunosh me Turqinë kundër Shtetit Islamik. Ajo ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO me të gjitha llojet e armatimeve të teknologjisë së lartë dhe operatorëve të forcave speciale. Megjithatë, qeveria turke ka qenë e vakët në vendimin për t'u bashkuar me luftën kundër ISIS-it. Kur administrata Obama u vu në kërkim të aleatëve kundër Shtetit Islamik në verën e vitit 2014, turqit thanë se mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit ishte ndryshimi i regjimit në Damask. Ankaraja deklaroi se kishte përparësi të tjera, pavarësisht kërcënimit terrorist në “derën e saj”. Ajo është ndierë gjithnjë e më e kërcënuar pasi kurdët sirianë kanë fituar vrull dhe iu afruan kufijve të Turqisë.

Tani ne duhet të besojmë se Erdogan është i gatshëm të luftojë Shtetin Islamik deri në ”vdekje” ? Shqetësimi kryesor i Turqisë ka qenë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë shkatërrimi i kurdëve siriane. Erdogan vendosi se kurdët ishin rreziku më i madh për Ankaranë dhe mbështeti në mënyrë indirekte ISIS-in, duke bombarduar pozicionet kurde që po luftonin Shtetin islamik dhe lejoi xhihadistët të kontrabandonin njerëz dhe armë.

Shteti Islamik mund të rigrupohet

Ushtria turke hyn në Afrin dhe sulmon milicinë kurde

Për Erdoganin, tërheqja e SHBA-së nga Siria heq edhe pengesën kryesore për shkatërrimin e YPG-ve. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se turqit do ta kthejnë vëmendjen e tyre ndaj Shtetit Islamik, kur ata janë përqendruar tek kërcënimi kurd. Ndoshta pasi të luftojnë YPG-në, ushtria turke do ta kthejë vëmendjen tek Shteti Islamik. Por ndërkohë që turqit dhe kurdët luftojnë njëri-tjetrin, ISIS-i mund të fuqizohet sërish.

Paaftësia e administratës Trump për të menaxhuar tensionet midis Turqisë dhe kurdëve siriane mund t’i japë Shtetit Islamik kohë dhe hapësirë për t’u rigrupuar dhe paraqitur një kërcënim edhe më të madh për Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës.

Ofensiva e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri ka qenë deri tani efektive, pasi Amerika ka pasur partnerë të aftë në terren. Kurdët sirianë kanë qenë deri tani partnerët më të dobishëm të SHBA-së. Ata kanë pësuar vdekje dhe lëndime të tmerrshme pasi kanë larguar forcat e Shtetit Islamik nga qytete të tilla si Raqqa, ku grupi terrorist kishte dikur një strehë të sigurt për të komplotuar sulme terroriste në rajon dhe më gjerë, por edhe për të planifikuar sulme globale, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara në qytete të tilla si Nju York dhe Orlando, Florida.

Për Pentagonin, do të jetë e rendë të shohë dy partnerë amerikanë të godasin njëri-tjetrin, por ajo që mund të ndodhë më pas mund të jetë edhe më e keqe për Shtetet e Bashkuara: Kurdët, të cilët e kanë ndjekur Shtetin Islamik deri në luginën e lumit Eufrat, mund të sprapsen, pasi do t’u duhej të mbrojnë vëllezërit e tyre kundër Turqisë.

Ushtaret kurde para betejës së Raqqas

Falë përpjekjeve të dy administratave amerikane, forcat e Shtetit Islamik janë mposhtur në pothuajse të gjithë territorin që kishin zaptuar në Irak dhe Siri. Ata kanë mbetur të rrethuar në një zonë të vogël, ku ende ka mijëra luftëtarë dhe tani kanë hapësirë dhe kohë për të rifreskuar dhe riorganizuar sepse diplomacia amerikane ka dështuar.

Por rreziqet për t’i dhënë Shtetit Islamik një shans të dytë për të rekrutuar dhe për të komplotuar sulme terroriste, rriten edhe më shumë nëse Erdogan merr në dorë betejën kundër tyre.

Kush janë kurdët, armiqtë e betuar të Turqisë?

Njësitë Mbrojtëse kurde, janë fraksioni më i madh në Forcat Demokratike të Sirisë dhe krahu ushtarak i Partisë së majtë të Bashkimit Demokratik. Ato janë të lidhura ngushtë me PKK-në, ose Partinë turke të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila konsiderohet si grup terrorist nga Ankaraja.

Administrata Obama hartoi planin për armatosjen në 2016-ën, një strategji që administrata e Trump fillimisht e braktisi. Megjithatë armatosja e Kurdëve ka qenë plani më i zgjuar që nga nisja e konfliktit sirian, edhe pse u deshën të kalonin vite të tëra para se dikush nga Uashingtoni të mund ta kuptonte .

Përveç izraelitëve, kurdët janë luftëtarët më të aftë të Lindjes së Mesme. Shumica janë myslimanë (një pakicë janë Yazidis dhe të krishterë), por ato janë po aq ‘alergjikë’ ndaj islamit radikal sa janë edhe amerikanët. Ata janë ndër njerëzit më pro-amerikanë në të gjithë botën dhe janë aleatë të përsosur ushtarakë.

Nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që forcat tokësore vendase në Siri të luftojnë ISIS –in në mënyrë që ushtarët amerikanë të mos kenë nevojë të zbarkojnë në terren, kurdët janë opsioni i vetëm i mundshëm.

Edhe pse në Siri ekzistojnë milicitë aktive, shumica e tyre, për fat të keq, janë islamikë dhe shumica dërrmuese do të luftonin më shumë Asadin sesa ISIS-in. Pas gjashtë viteve lufte, moderatorët politikë që nuk janë vrarë kanë ikur sëbashku me miliona refugjatë sirianë.

Por shteti turk po lufton PKK-në në Turqinë lindore që nga viti 1978. Rreth 50,000 persona janë vrarë gjatë luftës turko-kurde gjatë katër dekadave të fundit dhe nëse PKK-ja do të fitonte, Turqia mund të humbiste një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj në lindje. Në këtë situatë SHBA pretendon që largimi i saj nga Siria me kushte, përfshin edhe sigurinë që Turqia ka dhënë për kurdët atje. Për këtë qëllim në Ankara shkoi edhe këshilltari i Presidentit Trump Xhon Bolton. Por Erdogan e mohoi qe ai të ketë dhënë garanci për sigurinë e kurdëve pas tërheqjes së trupave amerikane nga Siria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë