Lajme

Itali, i vë flakën autobusit të nxënësve; shmanget tragjedia

Një shofer autobusi, 47-vjeç me origjinë nga Senegali, Osseynou Sy, u arrestua pasi rrëmbeu një autobus me nxënës dhe pastaj i vuri zjarrin automjetit.

Ngjarja ndodhi në San Donato, jashtë qytetit të Milanos, Itali.  Autori, me nënshtetësi italiane që nga viti 2004 dhe me precedentë për drejtim makine në gjendje të dehur dhe dhunë seksuale, kishte kërcënuar të vriste veten: “Dua t’i jap fund, vdekjet në Mesdhe duhet të ndalen”.

Në bordin e autobusit kishte 51 fëmijë të shkollës Vailati të Crema-s (në Kremona) me mësuesit e tyre. Katërmbëdhjetë njerëz, duke përfshirë dy të rritur u dërguan në spital.

Të gjithë fëmijët e tjerë u vizituan në vend dhe më pas u transferuan në Institutin Margherita Hack në San Donato, duke pritur për prindërit e tyre.

Pasi u bllokua, autori doli nga autobusi, në dorë mbante një çakmak dhe i vuri zjarrin automjetit, ndërsa karabinierët shpëtuan fëmijët nga dera e pasme dhe pasi thyen dritaret. Në një moment Sy do të kishte ndryshuar kursin dhe duke iu drejtuar nxënësve me një thikë, ai ka thënë: "Le të shkojmë në Linate (aeroporti I Milanos), askush nuk do qëndrojë këtu”.

Pas thirrjes telefonike të një nxënësi te 112, autobusi i marrë peng, u ndalua nga tre patrulla të policisë,  por mjeti më parë goditi dhe përplasi disa makina të parkuara.

Udhëtimi i terrorit të 51 nxënësve zgjati vetëm 40 minuta. Për fat të mirë asnjë nuk u lëndua, por nëse policia nuk do të ndërhynte, mund të kishte ndodhur një tragjedi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë