Politike

PD akuzon Qeverinë: Po normalizon krimin

Partia Demokratike thotë se vrasja e fundit në Fier dëshmon degradimin e sigurisë dhe rendit publik në vend dhe fajëson për këtë lidhjet, sipas saj, të Qeverisë me krimin e organizuar.

“Askush nuk ndihet i sigurt për familjen, biznesin, fëmijët. Vrasjet e tipit mafioz si ajo në mes të qytetit në Fier janë shtuar, tmerri i ngjarjes së Krujës vendos kujën për gjithçka i ka ndodhur familjes së një biznesmeni, tregon mungesë e çdo lloj frike nga shteti! Qeveria i përdor këta llumra në zgjedhje dhe ata sot ndihen zotër të vendit që mund te prodhojnë gjithçka përtej imagjinatës! “, deklaron deputeti i PD, Ervin Salianji.

Sipas Salianjit, Qeveria jo vetëm që është e pafuqishme për të ndaluar këto krime, por edhe po i normalizon ato.

“Qeveria jo vetëm është e paaftë të mbrojë jetën, pronën dhe rendin por reagimet e saj janë të vobekta duke i kaluar ngjarjet si normalitet. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi, krahas pasigurisë social-ekonomike, shqiptarët sot nuk kanë as siguri publike!”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë