Është New England Patriots ekipi fitues i finales së madhe të futbollit amerikan, Super Bowl. Ekipi nga Boston ka mposhtur me rezultatin 13-3 skuadrën nga Kalifornia, Los Angeles Rams. Kjo fitore ishte e mbushur plot me rekorde. Kjo ishte fitorja e gjashtë për ekipin nga Massachusetts që hyn kështu në historinë e këtij sporti në SHBA. Në histori ka hyrë edhe kapiteni i Patriots, Tom Brady, i cili bëhet i pari lojtarë që ka fituar këtë trofe gjashtë herë. Pak vend për në histori kishte edhe për trajnerin e ekipit bostonian, Bill Belichick, i cili bëhet kështu trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit amerikan dhe gjithashtu më i vjetri që e ka fituar këtë trofe, në moshën 66-vjeçare.

Ndeshja dhe gjithë atmosfera e krijuar në stadiumin e Atlantës ishte si gjithmonë spektakolare edhe pse duhet thënë se niveli i lojës nuk ishte nga më të lartët e kësaj finaleje. Për herë të parë në një finale të Super Bowl nuk u realizuan më shumë se 16 pikë, duke thyer rekordin e finales se vitit 1973, ku ishin shënuar 21 pikë. Sipas medieve amerikane kjo përqindje e ultë pikësh erdhi më shumë për shkak të formës së dobët të ekipit nga Los Angeles.

Para ndeshjes parashikohej një përplasje e fortë mes të dy ekipeve. Për shkak të formës se Rams dhe mesatares së lartë të moshës në ekipin e Patriots besohej se dueli do të kishte rivalitet. Por kapiteni legjendar i ekipit bostonian, Tom Brady edhe një herë bëri diferencën në këtë përballje. I ndihmuar nga Rob Gronkowski dhe Sony Michel, Brady mori prej dore ekipin e tij dhe në fund ia doli të ngrejë lart trofeun.

Ashtu siç pritej finalja e Super Bowl sërish ka thyer çdo rekord të mundshëm edhe përtej sportit. Një spot 30 sekondash gjatë ndeshjes shkoi më shumë se 5.3 milionë dollarë. Ndeshja u transmetua në më shumë se 50 vende të botës, ku pjesa më e madhe ishte PPV, (paguaj për të parë).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




