Kryedemokrati Lulzim Basha i nisi turet me bazën në kuadër të fushatës për nisjen e protestave pikërisht në dy bastionet kryesore të PD-së, në Kavajë dhe në Shkodër. Takime me të rinjtë, me tregtarët, por edhe me qytetarët e shumtë nëpër rrugë.
Qëllimi i këtyre takimeve është që të nxisë më tepër qytetarët të dalin në protesta, për të kulmuar më pas në 16 shkurt në marshimin përpara Kryeministrisë.
Një kalendar është hartuar nga PD-ja ku është parashikuar të realizohen disa protesta përpara datës 16 shkurt.
“E kemi në dorën tonë ta ndryshojmë. Shkodra, ti Lumturi dhe Shqipëria keni shpresë. Mjafton të bëhemi të gjithë bashkë dhe të merrni fatin tuaj në duart tuaja. Kjo është ftesa për 16 shkurtin. Më 16 shkurt të bëjmë një betejë që të rikthejmë një qeverisje që mendon për vendin dhe jo për veten e vet”, iu drejtua kryedemokrati një tregtareje shkodrane.
Gjatë bashkëbisedimit me tregtarët, kryetari i PD, Basha tha se e gjithë struktura ekonomike është shkatërruar nga politikat korruptive e këtij kryeministri. Ndërkohë që prezantoi edhe planin me katër prioritete për ekonominë.

“Ka marrë 2.9 miliardë euro, e ua ka dhënë 5 vetave. Ka marrë gjithë lekët e rrogave, pensioneve, taksave të rritura, të çmimit të lartë të energjisë, të çmimit të lartë të naftës, të gjitha këto ua ka dhënë 5 vetave. Ndërkohë konsumatori është në pikiatë për sa i përket fuqisë blerëse, si rezultat i uljes së xhiros, ju mbyllni biznesin. 50 biznese në ditë mbyllen çdo ditë. Zgjidhje ka! Kemi një plan ekonomik: Taksa të ulëta; Ulje të çmimit të naftës dhe energjisë; Rritjes së konkurrencës dhe Rritjes së aksesit në treg. Por përpara se të arrijmë këtë zgjidhje, duhet t’i japim fund kësaj të keqe. Me 16 shkurt ju ftoj të vini të gjithë në Tiranë. Ta merrni fatin tuaj në duart tuaja. Mos e lini në dorën e atyre që ju kanë harruar, ju ka braktisur, ju vjedhin e pastaj ju tallin”, deklaroi Basha.

Kryedemokrati në Shkodër zhvilloi edhe një takim dhe me disa studentë ku bëri të ditur se Partia Demokratike po punon për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, duke ngritur një grup pune.
“Në këtë grup pune do të jenë deputetë që mbulojnë fushën e arsimit, përfshirë edhe pedagogë, ekspertë të fushës nga Partia Demokratike, kemi skuadrën më të mirë të ekspertëve për arsimin. Do të nisim menjëherë konsultimin me dy grupe kryesore të interesit, me studentët dhe me pedagogët”.
Skenarët e opozitës për 16 shkurtin
Protesta e 16 shkurtit për opozitën shihen si pjesë e një aksioni të ri politik gati 5 muaj përpara zgjedhjeve lokale. PD ka marrë vendimin që së bashku me aleatët të protestojnë me synimin e një lëvizje të re politike, e cila për momentin është krijimi i një qeverie tranzitore që ka si synim organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Aktualisht kjo kërkesë nuk është artikular zyrtarisht nga vetë kryedemokrati Basha, por nga përfaqësues të tjerë të PD-së. Ideja e opozitës duket se nuk është më krijimi i një qeverie teknike i ngjashëm me atë të dy viteve më parë, por kërkon që ekzekutivi të ri të mos ketë Ramën kryeministër dhe të jetë me emra teknik të propozuar nga PS.
Ndërsa si pjesë e skenarit të opozitës është që së bashku me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të përgjithshme, të parakohshme.
Por opozita ende nuk e ka zbuluar skenarin se si do t’i realizojë këto kërkesa duke e detyruar mazhorancën të pranojë krijimin e një qeverie tranzitore dhe çuarjen e vendin në zgjedhje të parakohshme.
Ndërsa po përflitet gjithnjë e më shumë se më 16 shkurt opozita me protestuesit e saj do të rrethojnë Kryeministrinë, duke detyruar qeverinë që të pranojnë kërkesat e saj. Kjo po artikulohet edhe në një mënyrë edhe nga kryedemokratit Lulzim Basha në fjalimet që ai po mban në takimet nëpër rrethe.

“Kam ardhur t’ju them sot se duhet të bëhemi gati të bëjmë një rrethim tjetër me datën 16 shkurt. Ta rrethojmë tradhtinë, pashpirtësinë, hajdutërinë. T’i tregojmë Shqipërisë dhe shqiptarëve me bashkimin tonë, t’i tregojmë Evropës se Edi Rama ka rënë dhe do të largohet një orë e më parë. Një popull që nuk proteston rrezikon të mbytet nga vesi. Koha kërkon një zgjim të madh të ndërgjegjes kombëtare. Dhe ta nisim me 16 shkurt pastrimin e politikës nga krimi në sheshin para kryeministrisë. Të dekriminalizojmë zgjedhjet, të ndajmë e të pastrojmë parlamentin nga politikanët e lidhur me krimin në mënyrë që vendimmarrja që ata bëjnë të jetë në emër për qytetarët dhe për qytetarët dhe jo në emër të kriminelëve. E keni dhënë shembullin këtu një vit e gjysmë më parë”, theksoi kryedemokrati gjatë një takimi në Kavajë.
Ndërkohë që edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë televizive nuk e mohoi faktin se skenari i opozitës është rrethimi i selisë së qeverisë, duke theksuar se protesta mund të zgjasë pafund.
“Do zgjasë sa të kenë dëshirë njerëzit. Njerëzit do ta vendosin vetë. Më të egër janë njerëzit sesa ne kundër Edi Ramës. Në datën 16 fillon protesta dhe nuk do ndalemi më. Protesta o mund të jetë në gjithë Shqipërinë, mund të jetë o në të gjithë Tiranën…Mund të jetë ose rrethimi i Kryeministrisë…mund të jetë çfarë të doni ju. Do ketë variante nga më të ndryshmet”, tha Kryemadhi në Report TV.
Gjithsesi mësohet se të premten do mblidhen aleatët për të vendosur për mënyrën se si do të veprohet me protestën e 16 shkurtit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





