Premiera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, vjeshtën e shkuar, i dha “Delegacionit” shqiptar që përbëhej nga Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa e Bujar Alimani, Çmimin e Madh, të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kinematografisë, jo vetëm për Poloninë. Më pas filmi, të cilin regjisori e ka cilësuar si një homazh mbi qëndresën njerëzore ndaj regjimeve çnjerëzore totalitare, u shfaq premierë për publikun vendas në kinema “Millenium”, me rastin e Tirana International Film Festival, duke i rrëmbyer edhe këtu katër çmime; për skenarin më të mirë, çmimin e publikut, të medies dhe çmimin special të jurisë, që vlerësoi kastën, me disa prej aktorëve që kanë bërë epokë në kinemanë shqiptare.
Ashtu siç e kishte lajmëruar edhe më herët regjisori, Bujar Alimani, filmi mori pjesë edhe në disa festivale të tjerë si ai i Filmit në Selanik të Greqisë apo Cottbus në Gjermani, për t’u ndalur në Festivalin e Filmit në Trieste -që këtë vit kremton edhe tridhjetë vjetorin e themelimit – duke u shpallur si Filmi më i mirë me metrazh të gjatë në konkurrim, një çmim i vlerësuar me pesë mijë euro.
Pas akordimit të çmimit “Trieste”, në një prej tre gjinive konkurruese – metrazh i gjatë, dokumentar dhe metrazh i shkurtër – në faqen zyrtare të Trieste Film Festival, shkruhej se “Delegacioni” rrëfen përpjekjen e skajshme të regjimit komunist – në fund të vitit 1990 – për të bindur opinionin publik ndërkombëtar mbi përparimet e Tiranës, në çështjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu filmi është vlerësuar edhe me çmimin “Pag”, akorduar nga një juri të rinjsh, nga mosha 18 e deri 35 vjeç, me motivacionin “filmi lëviz i rrjedhshëm si uji, element shumë simbolik në film, në gjarpërimet e paradokseve historike e politike të përforcuara nga studimi i ngjyrës dhe i dritave.”
Skenari i filmit, i cili u shkrua nga i ndjeri Artan Minarolli, i vendos ngjarjet në tetorin e vitit 1990, kur regjimi komunist në Shqipëri përpiqet të mbajë pushtetin, edhe pse në grahmat e fundit. Një delegacion europian vjen në Tiranë për të monitoruar vënien në jetë të reformave nga ana e qeverisë – një parakusht që Shqipëria të pranohet në OSCE. Protagonisti, Leo Konomi, i interpretuar nga aktori Viktor Zhusti, është një intelektual i burgosur si kundërshtar i regjimit për pesëmbëdhjetë vite, por pikërisht në këtë moment, me mbërritjen e delegacionit nga jashtë, ai bëhet një element kyç për mbushamendjen që qeveria komuniste mëton t’u bëjë të huajve. Delegacioni europian kryesohet nga një shok i vjetër shkolle i Leos, që kërkon pikërisht të takohet me mikun e tij të vjetër, pa e pasur idenë për fatin e tij.
I gjithë konflikti kinematografik është i vendosur në rrugët e këqija malore, ku një makinë e Sigurimit përpiqet të shoqërojë të burgosurin drejt kryeqytetit, por ky i fundit nuk pranon lojën e pushtetit dhe preferon sakrificën kapitale sesa të bëhet vegël e tyre. Lojën, regjisori ua besoi disa prej aktorëve më në zë dhe me karrierë të gjatë në kinemanë e para dhe pas ’90, si Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Mehmet Xhelili, Kristaq Skrami e shumë të tjerë, duke përfshirë gjithashtu edhe aktorë të huaj, si gjermani Richard Sammel, i cili ka interpretuar në filma të mëdhenj botërorë si “Inglorius Basterds” apo “La vita è Bella”.
Një film që regjisori Alimani do ta cilësonte si më aktual se kurrë, i përfshirë vetë në një qëndresë qytetarësh e intelektualësh për të mbrojtur një godinë që strehon historinë dhjetëravjeçare të teatrit shqiptar. Një kambanë alarmi, ku i vogli (populli) ngrihet të rrëzojë tiranin dhe tiraninë (pushtetin), do të thoshte muaj më parë Alimani, ndërsa fitoret në festivalet ndërkombëtarë i ka parë si shpërblim për punën e Minarollit, i cili nuk arriti ta shohë të përfunduar. “Delegacioni” i Alimanit do ta vijojë xhiron e konkurrimit të festivale ndërkombëtarë të filmit, me ambicien, legjitime, për të rrëmbyer të tjerë trofe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.