Drejtësia është thembra e Akilit dhe pasaporta drejt BE-së. Ballkani Perëndimor duhet ta meritojë integrimin europian. Partia Popullore Europiane edhe pse ka shprehur mbështetjen e fort për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ka dalë me konkluzionin se çdo vend kandidat që aspiron për të qenë pjesë e BE-së do të gjykohet në bazë të meritave të veta në termat e përmbushjes së detyrimeve, duke implementuar dhe përmbushur të njëjtin set kriteresh dhe se është cilësia dhe reformat e nevojshme që do të përcaktojnë afatet kohore për pranimin në BE. Drejtësia është kyçi që do të hap portën e BE-së.
Në samitin e mbajtur sot në Sofje të Bullgarisë ku merrnin pjesë PPE, BE dhe lider të Ballkanit Perëndimor, u nënshkrua edhe deklarata për përmbushjen e sfidave të përbashkëta drejt një integrimi europian të besueshëm.
Rekomandimet e drejtuara kah vendeve që aspirojnë BE-në kanë të bëjnë me përmirësime konkrete të fqinjësisë së mirë dhe dypalëshe. Theksohet fort kundërshtia ndaj çdo forme bojkoti të institucioneve demokratike dhe besimi se roli i çdo opozite demokratike është konstruktiv në parlament për t’i bërë qeveritë përkatëse të përgjegjshme e në të njëjtën kohë t’i kontrollojnë ato.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar në të gjitha nivelet në rajon, përfshirë politikën, administratën publike dhe shoqërinë si një e tërë, ka nevojë për një vëmendje të madhe. Në rekomandimet, citohet gjithashtu se është kërkuar që aktorët të kenë tolerancë zero duke shpënë përpara drejtësisë të gjithë të implikuarit dhe të ndërmerren inisiativat e duhura veçanërisht në fushën antikorrupsion. Ligji duhet të respektohet dhe rregullat e imunitetit nuk duhet të përdoren për të penguar hetimet penale.
Cilësohen si të dënueshme të gjitha format e drejtësisë të motivuara politikisht dhe procedime gjyqësore për hakmarrje, ndërkohë që duhet mbajtur mend se veprimet kriminale duhet të ndiqen në mënyrë të plotë dhe të përgjegjshme. I gjithë legjislacioni i nevojshëm, veçanërisht për përgatitjen e zgjedhjeve, duhet të sillet në linjë me vlerat e përbashkëta dhe kornizën e nevojshme legjislative, si dhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Vëzhguesit e zgjedhjeve të BE-së.
Për sa i përket aspektit ekonomik, gjatë konferencës iu vu theksi punësimit të të rinjve, pasi treguesi i papunësisë është shumë i lartë në radhët e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo arrihet me marrjen e inisiativave për sipërmarrësit e rinj dhe shkëmbimeve mes akademikëve, studnetëve. Klima e biznesit është një tregues tjetër që duhet përmirësuar për të nxitur dhe rritur investimet e huaja dhe ato vendase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.