Njerez

Maratonë në -52 gradë, edhe një 71-vjeçar mes vrapuesve

Të vraposh në dimër është e vështirë për çdo atlet, por shumë më e vështirë është të vraposh në Jakuzia, në Siberi. Jo vetëm për sportistët, por për çdo qenie njerëzore, duke parë temperaturat që në këtë vend arrijnë deri në 52 gradë nën zero. Për këdo mund të duket çmenduri një maratonë në këto kushte, por jo për 16 vrapues të fiksuar pas maratonave.

Këta 16 vrapues, mes tyre edhe një 71-vjeçar, ndërsa më i riu në moshë është 21 vjeç, kanë sfiduar të pamundurën, duke vrapuar në -52 gradë në maratonën e akullt të organizuar në Oimako. Pesë ishin distancat e propozuara: pesë, dhjetë, njëzet, tridhjetë dhe dyzet kilometra. Temperatura më e mirë e mundshme ishte -48 gradë në mesditë.

Pjesëmarrësit kanë arritur rezultate mjaft të mira. Për ta kuptuar më qartë, fituesi i garës më të gjatë, që është edhe kryeplaku i fshatit Emisa, Ilia Pesterev, ka bërë për 3 orë e 53 minuta distancën e 40 kilometrave. Vrapuesi më i ri i grupit, Inokentij Olesov, 21 vjeç, ka bërë 10 kilometra për 1 orë e 8 minuta. Atletja e njohur ruse e maratonave, Valentina Dorgujeva, për 4 orë ka bërë distancën e 25 kilometrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë