Sport

Bëhuni gati për të parë sërish një Shumaker te Ferrari

Një lajm që me shumë mundësi do i gëzojë të gjithë fansat e garave të Formula 1, por më veçanërisht ata të Ferrarit. Shumë shpejt mund të shikojmë në garat me makinat e shpejta, një pilot me mbiemrin Shumaker. Bëhet fjalë për djalin e legjendës Majlkëll Shumaker, 19-vjeçarin, Mik Shumaker. Lajmi i bujshëm i publikuar pasditen e kësaj të hënë ka të bëjë me djalin e Shumaker, i cili është përzgjedhur për t’u provuar për në akademinë e makinave të Ferrarit.

Mik Schumacher mund të marrë një mundësi të papritur testimi në vitin 2019 me Ferrarin. Sipas Motorsport.it, Mik Shumaker pritet të nënshkruajë me Akademinë e Ferrarit shumë shpejt dhe kjo gjë i hap derën mundësinë që vitin e ardhshëm ai të testohet për të pilotuar një makinë të Formula 1. Megjithëse ende nuk ka asgjë zyrtare, detajet thuhet se do të finalizohen së shpejti, duke e bërë Shumaker Jr një anëtar të akademisë së Ferrarit. 19-vjeçari gjithashtu mund të marrë pjesë gjatë testimeve të makinave në Bahrein dhe Barcelonë.

Mik Shumaker

Mik Shumaker aktualisht është kampioni europian i Formula 3 dhe këtë sezon do ta bëjë debutimin e tij Formula 2 me makinën “PREMA Powerteam”. Në bazë të paraqitjeve në këtë kategori do të vendoset nëse Mik do të ecë në gjurmët e babait të tij dhe të pilotojë edhe në kategorinë Formula 1. Sakaq mediet italiane shkruajnë se afrimi i Mik Shumaker në akademi, mund të spostojë dy pilotët e tjerë testues aktual te Ferrari, Markus Armstrong dhe Kallum Illot.

Mik Shumaker dhe Majlkëll Shumaker

Për të gjithë tifozët e Formula 1 dhe skuderisë italiane Ferrari ky është një tjetër lajm i mirë, pasi atij të para disa ditëve, ku mediet botërore shkruan se shëndeti i Majkëll Shumakër ka ardhur ndjeshëm duke u përmirësuar. Tashmë besohet se Shumaker është futur në fazën finale të rehabilitimit dhe mund të lëvizë me këmbët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë