Bota

Avioni elektrik kinez përfundon fluturimin e parë me ekuipazh

Një avion elektrik kinez për pasagjerë ka realizuar me sukses fluturimin e parë me ekuipazh, duke shënuar një moment të rëndësishëm për industrinë e aviacionit në Kinë.

Avioni CE-25A fluturoi të shtunën në qytetin Binzhou, në provincën Shandong, me dy pilotë dhe një inxhinier në bord. Fluturimi zgjati 16 minuta e 38 sekonda, duke përshkuar rreth 60 kilometra.

I zhvilluar për udhëtime të shkurtra mes qyteteve, avioni përdor një sistem shtytës elektrik dhe ka kapacitet për 19 pasagjerë. Ai mund të arrijë shpejtësinë deri në 300 km/orë dhe një lartësi maksimale fluturimi prej 2,400 metrash.

Projekti është rezultat i bashkëpunimit mes Korporatës së Avionëve Tregtarë të Kinës (COMAC), prodhuesit të baterive CATL, Universitetit Jiao Tong të Shangait dhe institucioneve të tjera.

Sipas COMAC, fluturimi u zhvillua normalisht. Avioni kishte realizuar më parë fluturimin autonom, në shkurt të këtij viti, ndërsa më pas përfundoi 19 fluturime testuese pa pilot.

Megjithatë, CE-25A ende nuk është gati për përdorim komercial. Prodhuesi ka aplikuar për certifikimin e tipit pranë Administratës së Aviacionit Civil të Kinës (CAAC), por miratimi përfundimtar nuk është dhënë ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë