Përdorimi i inteligjencës artificiale për krijimin e materialeve të rreme me përmbajtje abuzimi seksual ndaj fëmijëve po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Një studim ndërkombëtar i Institutit Childlight, pranë Universitetit të Edinburgut, zbulon se këto materiale janë rritur me më shumë se 8,400% në vetëm dy vjet.
Sipas studimit, materialet e krijuara me AI dhe të raportuara në SHBA janë rritur nga rreth 4,700 në vitin 2023 në mbi 400 mijë në vitin 2025, një shtim prej të paktën 395,300 rastesh.
Fenomeni përfshin edhe përdorimin e teknologjisë deepfake dhe aplikacioneve që manipulojnë fotografitë e fëmijëve, duke i vendosur fytyrat ose trupat e tyre në imazhe me përmbajtje seksuale. Edhe pse materialet mund të jenë tërësisht të rreme, pasojat për viktimat janë reale dhe mund të përfshijnë shantazh, zhvatje dhe presion për të prodhuar materiale të tjera.
Studimi evidenton gjithashtu përmasat e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet. Sipas vlerësimeve, mbi 300 milionë fëmijë në mbarë botën përjetojnë të paktën një formë të këtij abuzimi të lehtësuar nga teknologjia.
Autorët paralajmërojnë se rreziku prek edhe fëmijët e personazheve të njohur, ndërsa mungesa e statistikave të plota dhe të besueshme e vështirëson përballjen me fenomenin. Nga 103 vendet e analizuara, vetëm 22 dispononin të dhëna gjithëpërfshirëse për abuzimin ndaj fëmijëve, si në internet ashtu edhe jashtë tij.
Studiuesit theksojnë se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale kërkon masa më të forta parandaluese, mbrojtje më efektive të të miturve dhe përmirësim të sistemeve të raportimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje