Njerez

BE planifikon t’u japë nxënësve certifikata për ‘njohuri mbi inteligjencën artificiale’

Bashkimi Evropian planifikon të prezantojë një certifikatë për njohuritë mbi inteligjencën artificiale (AI) për nxënësit 15-vjeçarë, duke nisur nga viti shkollor 2027-2028.

Nisma synon t’i ndihmojë të rinjtë të kuptojnë funksionimin e kësaj teknologjie, të verifikojnë informacionin që ajo gjeneron, të dallojnë manipulimet dhe të kuptojnë kur duhet të ndalojnë përdorimin e saj.

“Kjo do t’i ndihmojë nxënësit e rinj të kuptojnë se si funksionon AI, të verifikojnë informacionin që ajo u ofron, të dallojnë manipulimet dhe të dinë se kur duhet ta ndërpresin përdorimin e saj”, deklaroi nënkryetarja e Komisionit Evropian, Roxana Minzatu.

Vendimi vjen në një kohë kur shkollat në mbarë botën po përballen me ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në procesin mësimor.

Sipas statistikave të PISA 2025, rreth një në tre 15-vjeçarë në Bashkimin Evropian ka rezultate të dobëta në lexim-shkrim dhe matematikë. Përmes kësaj nisme, Brukseli synon të nxisë përdorimin e AI për të mbështetur mësuesit dhe për të përmirësuar të nxënit.

Megjithëse Bashkimi Evropian nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi politikat arsimore të vendeve anëtare, ai po mbështet nismat për përfshirjen e sigurt të inteligjencës artificiale në shkolla.

Paralelisht, BE po promovon edhe legjislacion për të kufizuar qasjen e adoleshentëve të rinj në rrjetet sociale.

Minzatu theksoi se këto dy nisma nuk bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, pasi inteligjenca artificiale mund të përdoret për mbështetje në mësimnxënie dhe edukim të personalizuar.

Sipas saj, këto përdorime arsimore ndryshojnë nga algoritmet e platformave sociale, të cilat mund të krijojnë varësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë