Dhjetëra supermarkete në Belgjikë, Suedi dhe Irlandë janë prekur nga një sulm i dyshuar kibernetik, i cili ka vënë në shënjestër sistemet e kontrollit të frigoriferëve dhe ngrirësve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Rreth 40 dyqane të rrjetit Delhaize në Belgjikë dhe Luksemburg janë prekur, ndërsa probleme janë raportuar edhe në disa dyqane ICA dhe Coop në Suedi, si dhe në 13 filiale të SuperValu në Irlandë.
Si pasojë e incidentit, sasi të mëdha ushqimesh janë hedhur për shkak të prishjes. Një prej rasteve më shqetësuese u raportua në një dyqan ICA në qytetin Sjöbo të Suedisë, ku temperatura e frigoriferëve dhe ngrirësve ishte ndryshuar në 50 gradë Celsius.
Ndërkohë, një filial i Delhaize në Belgjikë ka raportuar humbje produktesh në vlerën e 100 mijë eurove. Edhe Carrefour konfirmoi se 15 prej dyqaneve të tij në Belgjikë janë prekur, por bëri të ditur se janë marrë masa për të garantuar vijimin e aktivitetit.
Autoritetet e sigurisë kibernetike në Belgjikë dhe Suedi po monitorojnë situatën. Deri më tani nuk dihet se kush qëndron pas sulmit.
Incidenti vjen pas një sulmi të ngjashëm muajin e kaluar në Francë, ku u prekën qindra supermarkete, duke ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve kompjuterike që kontrollojnë pajisjet e ruajtjes së ushqimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje