Bota duhet të ulë emetimet e gazeve serrë me 18% deri në vitin 2030 dhe me 45% deri në vitin 2035 për të kufizuar pasojat e ndryshimeve klimatike dhe për të shmangur një tejkalim të rrezikshëm të objektivave globale të temperaturës. Paralajmërimi vjen nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), i cili thekson se koha për veprim po mbaron.
Sipas raportit të fundit mbi hendekun e emetimeve, mundësia për ta mbajtur ngrohjen globale brenda kufirit prej 1,5°C krahasuar me periudhën para-industriale është tashmë jashtëzakonisht e vogël. Megjithatë, mbetet e mundur të kufizohet tejkalimi i këtij objektivi dhe të shkurtohet periudha gjatë së cilës temperaturat do të qëndrojnë mbi këtë prag kritik.
Raporti vë në dukje se qeveritë vazhdojnë të dështojnë në shndërrimin e objektivave afatgjata klimatike në masa konkrete dhe të menjëhershme. Edhe pse emetimet globale të karbonit në vitin 2025 ishin afërsisht në të njëjtin nivel me një vit më parë, analistët e UNEP-it paralajmërojnë se është ende herët për ta konsideruar këtë një kulm apo stabilizim të qëndrueshëm, veçanërisht për shkak të pasigurive gjeopolitike dhe varësisë nga lëndët djegëse fosile.
Reduktimi i emetimeve me 18% deri në vitin 2030 dhe me 45% deri në vitin 2035 do të krijonte mundësinë për ta kufizuar ngrohjen në rreth 1,7°C. Kjo do të ndihmonte në shmangien e përkeqësimit drastik të valëve të të nxehtit dhe fenomeneve të tjera ekstreme, të cilat pritet të mbeten të shpeshta.
Drejtoresha ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen, tha se qeveritë janë paralajmëruar prej vitesh për urgjencën e situatës, por nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ruajtur objektivin prej 1,5°C, në zemër të Marrëveshjes së Parisit.
Ajo theksoi se, megjithëse kjo mundësi është mbyllur praktikisht, vendet duhet të vazhdojnë përpjekjet për të kufizuar tejkalimin e pragut dhe për t’u kthyer sa më shpejt drejt objektivave klimatike.
Politikat aktuale nuk mjaftojnë
Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e Donald Trump, janë tërhequr nga Marrëveshja e Parisit. Si emetuesi i dytë më i madh në botë, pas Kinës, SHBA-ja ka një rol të rëndësishëm në ecurinë e përpjekjeve globale për uljen e emetimeve.
Bill Hare, drejtor ekzekutiv i qendrës kërkimore Climate Analytics, u bëri thirrje prodhuesve të mëdhenj të lëndëve djegëse fosile, veçanërisht SHBA-së dhe Arabisë Saudite, të ndalojnë pengimin e veprimeve klimatike dhe të përballen me realitetin shkencor.
Sipas tij, këto vende vijojnë të mbështeten te lëndët djegëse fosile, ndërsa qytetarët e tyre po përballen gjithnjë e më shumë me temperatura ekstreme, zjarre masive dhe pasoja të tjera të ndryshimeve klimatike.
Edhe angazhimet e reja të paraqitura nga qeveritë në kuadër të Marrëveshjes së Parisit mbeten të pamjaftueshme. Nëse të gjitha këto zotime do të përmbusheshin, temperatura globale përsëri parashikohet të rritet me rreth 2,6°C mbi nivelet para-industriale. Ndërsa, nëse vazhdojnë politikat aktuale, ngrohja mund të arrijë në 2,8°C.
Shkencëtarët paralajmërojnë se çdo pesë vite me emetime në nivelet aktuale shtojnë rreth 0,1°C në parashikimet e ngrohjes globale. Për më tepër, sa më shumë të tejkalohet kufiri prej 1,5°C, aq më i madh bëhet rreziku i aktivizimit të pikave kritike të sistemit klimatik, të cilat mund të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme.
Mohamed Adow, drejtor i qendrës kërkimore Power Shift Africa, theksoi se zgjidhjet teknologjike ekzistojnë, pasi energjia diellore dhe ajo e erës po zhvillohen më shpejt nga sa ishte parashikuar. Megjithatë, sipas tij, udhëheqja politike nuk po ecën me të njëjtin ritëm dhe qeveritë nuk po largohen nga lëndët djegëse fosile aq shpejt sa kërkohet.
Presion për veprime më të shpejta
Një mekanizëm i Marrëveshjes së Parisit, i njohur si “vlerësimi global”, parashikohet të shqyrtojë përparimin e vendeve në vitin 2028. Megjithatë, pasiguria mbi afatet e publikimit të raportit të ardhshëm të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) mund të vështirësojë përdorimin e të dhënave më të fundit shkencore gjatë këtij procesi.
Johan Rockström, drejtor i Institutit të Potsdamit për Kërkime mbi Ndikimet Klimatike, theksoi se mosmarrëveshjet mbi raportet shkencore nuk duhet të përdoren si arsye për të shtyrë veprimet politike.
Sipas tij, edhe nëse përmbushen të gjitha angazhimet kombëtare aktuale, emetimet globale pritet të arrijnë rreth 50 gigatonë ekuivalent CO₂ në vit deri në vitin 2035, ndërsa për të qenë në përputhje me objektivat klimatike duhet të zbresin nën 35 gigatonë.
Një nga masat që mund të japë rezultate të shpejta është reduktimi i emetimeve të metanit, një gaz serrë me fuqi ngrohëse shumë më të madhe se dioksidi i karbonit në periudhën afatshkurtër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje