Presidenti Bajram Begaj mblodhi sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar, ku në fokus ishte situata aktuale e sigurisë dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve.
Pas takimit, Presidenca në një njoftim për mediat, shkruan se në takim, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, u theksua nevoja për koordinim institucional, respektimin e pavarësisë së hetimeve dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te institucionet e sigurisë.
Gjatë takimit, lidhur me çështjen e Vlora Hysenit, u tha se hetimet e drejtësisë duhet të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë, ndërsa “çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”.
Në reagimin për median, Presidenca sqaron se për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin.
“Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional. Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”.
Në reagim theksohet se institucionet duhet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik.
“Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje