Obeziteti dhe mbipesha u kushtojnë ekonomive evropiane miliarda euro çdo vit, me një barrë financiare që në disa vende është e krahasueshme me shpenzimet për strehimin ose mbrojtjen.
Sipas një raporti të Zyrës së Ekonomisë së Shëndetit (OHE) për grupin farmaceutik EFPIA, kostot vjetore të lidhura me obezitetin dhe BMI-në e lartë arrijnë nga 0,7% deri në 1,4% të PBB-së në Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Irlandë, Greqi, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Deri në vitin 2024, rreth 26% e të rriturve në Evropë ishin obezë, ndërsa 30% të tjerë ishin mbipeshë. Shkalla e obezitetit është rritur me më shumë se 75% që nga viti 1990.
Në vendet e analizuara, kostot vjetore variojnë nga 2,5 miliardë euro në Rumani deri në 55,2 miliardë euro në Gjermani. Mbretëria e Bashkuar përballet me rreth 43,2 miliardë euro kosto, ndërsa Spanja, Italia dhe Franca me rreth 20 miliardë euro secila.
Këto kosto përfshijnë shpenzimet direkte shëndetësore për sëmundje të lidhura me obezitetin, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri. Ka edhe kosto indirekte që vijnë nga mungesat në punë, humbja e produktivitetit, kujdesi joformal dhe vdekjet e parakohshme.
Vetëm në tetë vendet e studiuara, obeziteti dhe mbipesha lidhen me rreth 278 000 vdekje dhe humbjen e 8 milionë viteve jetë të shëndetshme.
Raporti thekson se politikat aktuale të parandalimit dhe trajtimit nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Ndër rekomandimet janë trajtimi i obezitetit si sëmundje, përmirësimi i parandalimit, diagnostikimit dhe qasjes në trajtim, me synim uljen e kostove për sistemet shëndetësore dhe ekonominë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje