Bota

Italia merr vendimin, ndalon burkën në shkolla dhe kufizon numrin e nxënësve të huaj

Këshilli i Ministrave i Italisë ka miratuar një dekret të ri për arsimin, i cili parashikon ndalimin e mbulimit të fytyrës në shkolla, përfshirë përdorimin e burkës dhe perqes. Vendimi u raportua nga agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Sipas rregullave të reja, nxënësit nuk do të lejohen të marrin pjesë në mësime, aktivitete jashtëshkollore apo takime mes shkollës dhe familjes me fytyrën e mbuluar në një mënyrë që pengon identifikimin e tyre. Përjashtime do të lejohen për arsye të caktuara shëndetësore ose sigurie.

Shkelja e këtyre rregullave mund të sjellë gjoba administrative nga 200 deri në 1.000 euro. Në rastet kur shkelja kryhet nga një i mitur, përgjegjësia për gjobën i ngarkohet prindit.

Kufiri prej 30 për qind për nxënësit e huaj

Dekreti parashikon gjithashtu një kufi prej 30 për qind për nxënësit e huaj në klasat e vitit të parë, me kritere të ndryshme në varësi të nivelit të arsimit.

Në shkollat fillore, kufizimi do të prekë nxënësit që nuk kanë lindur në Itali dhe ata që nuk kanë ndjekur të paktën dy vite të arsimit parashkollor.

Ndërsa në shkollat e mesme të ulëta dhe të larta, rregulli do të zbatohet për nxënësit pa shtetësi italiane që nuk kanë përfunduar të paktën tre vite në sistemin kombëtar të arsimit.

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi se aktualisht rreth 34 mijë klasa kanë një përqindje nxënësish të huaj mbi kufirin prej 30 për qind.

Sipas tij, një nga prioritetet e qeverisë është forcimi i mësimit të gjuhës italiane, duke e konsideruar atë një element të rëndësishëm për integrimin e nxënësve në sistemin arsimor dhe shoqërinë italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë