Shendet

Burrat evropianë do të provonin kontraceptivë të rinj nëse do të ishin të disponueshëm

Shumica e burrave europianë do të ishin të gatshëm të përdornin metoda të reja kontraceptive nëse ato do të ishin të disponueshme, sipas një sondazhi të ri me rreth 14 mijë burra në Gjermani, Francë, Itali, Poloni, Suedi, Turqi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Më shumë se gjysma e të anketuarve në të gjitha vendet thanë se do të nisnin përdorimin e një kontraceptivi të ri brenda 12 muajve nga miratimi i tij, ndërsa vetëm 9% deklaruan se nuk do ta përdornin kurrë.

Aktualisht, opsionet kryesore për burrat janë prezervativët dhe vazektomia. Ndërkohë, disa metoda të reja janë në faza të ndryshme të provave klinike, përfshirë një pilulë jo-hormonale që merret para marrëdhënies seksuale, pilula ditore, xhele hormonale dhe metoda që bllokojnë përkohësisht kalimin e spermatozoideve.

Pilula jo-hormonale, e cila merret rreth 30 minuta para marrëdhënies seksuale, rezultoi metoda më e preferuar nga burrat në të gjitha vendet e sondazhit.

Ata që shfaqën interes për kontraceptivët e rinj përmendën si arsye dëshirën për më shumë autonomi, mbrojtjen nga shtatzënitë e padëshiruara, pakënaqësinë me përdorimin e prezervativëve dhe dëshirën për të ndarë më shumë përgjegjësinë e kontracepsionit me gratë.

Megjithatë, zhvillimi i këtyre produkteve përballet me një pengesë të rëndësishme: financimin. Sipas studiuesve, kërkimi për kontraceptivët mashkullorë është mbështetur kryesisht nga fondet publike dhe filantropike, ndërsa industria farmaceutike ka pasur përfshirje më të kufizuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë gjithashtu thirrje për zgjerimin e mundësive të kontracepsionit mashkullor, duke u fokusuar në metoda që pengojnë prodhimin, lëvizjen ose kalimin e spermatozoideve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë