Shendet

Frankfurti në alarm pas rasteve të reja me malarie

Autoritetet shëndetësore në Frankfurt kanë lëshuar një paralajmërim pas konfirmimit të dy rasteve të reja me malarie, duke e çuar në gjashtë numrin e rasteve të regjistruara në qytet që nga korriku. Dy prej pacientëve kanë ndërruar jetë.

Rastet e fundit janë identifikuar në zonën e Schwanheim-it, pranë Aeroportit të Frankfurtit, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ka lidhje mes tyre. Punonjësit e aeroportit janë ndër personat më të prekur nga infeksionet.

Autoritetet dyshojnë se mushkonja të infektuara mund të kenë mbërritur në Frankfurt përmes transportit ajror dhe më pas të kenë transmetuar sëmundjen. Ky fenomen njihet si “malaria e aeroportit”, por rastet e tilla në Gjermani janë shumë të rralla.

Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe mund të shkaktojë ethe, të dridhura, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe probleme gastrointestinale. Forma më e rrezikshme, malaria tropica, mund të jetë fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet shpejt.

Autoritetet u bëjnë thirrje personave që punojnë, jetojnë ose kalojnë kohë pranë aeroportit të kërkojnë menjëherë këshillë mjekësore nëse kanë ethe pa shkak të qartë dhe të informojnë mjekun për qëndrimin në zonën e aeroportit.

Për mbrojtje rekomandohet përdorimi i repelentëve kundër mushkonjave, veshjeve të gjata dhe rrjetave mbrojtëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë