Konfindustria i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë menjëherë për uljen e ngarkesës totale fiskale mbi karburantet, me synim që çmimet në tregun vendas të afrohen të paktën me nivelet mesatare të vendeve të Rajonit dhe të vendeve me të cilat Shqipëria konkurron në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.
Në një reagim të saj, Konfindustria mirëpret edhe riaktivizimin e Bordit të Karburanteve, ndonëse e konsideron këtë masë të vonuar. Sipas organizatës, kërkesa për uljen e taksave dhe rikthimin e Bordit të Karburanteve i është paraqitur qeverisë që në javën e parë të gushtit 2026.
Konfindustria paralajmëron se çmimet e larta të karburanteve dhe kohëzgjatja e ndikimit të tyre po krijojnë pasoja të rënda për ekonominë, duke shtuar kostot për industritë dhe prodhimin vendas.
Sipas saj, situata mund të sjellë goditje të mëtejshme për bizneset, përfshirë rritjen e rasteve të falimentimit, ndërsa ndikimi pritet të ndihet edhe te mirëqenia e qytetarëve.
“Gjendja e mësipërme rrezikon të sjellë edhe kolaps të ekonomisë në tërësi”, thekson Konfindustria në reagimin e saj.
Organizata argumenton gjithashtu se nga çmimet e larta të karburanteve përfitojnë kryesisht financat publike në afatshkurtër dhe, sipas saj, fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të sektorit të karburanteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje