Bota

Rutte: NATO përballet me sfidat të mëdha të sigurisë 

NATO përballet me “mjedisin më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë në një brez”, ndaj Evropës dhe Britanisë së Madhe u duhet të rrisin kontributin e tyre në aleancë, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar.

Rutte vlerësoi angazhimin e Britanisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por tha se përpjekjet ushtarake dhe financiare duhet të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme. Ai kërkoi që aleatët të arrijnë objektivin e shpenzimit të 3.5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035.

“Na duhet më shumë Britani dhe më shumë Evropë në aleancë”, tha Rutte, duke argumentuar se një rritje e kapaciteteve është e nevojshme për ta bërë mbrojtjen kolektive të NATO-s të besueshme.

Sipas tij, lufta e Rusisë kundër Ukrainës, terrorizmi, tensionet me Iranin dhe ndryshimet e mëdha gjeopolitike kanë krijuar një situatë shumë më të pasigurt për vendet perëndimore.

Britania aktualisht planifikon ta rrisë shpenzimin për mbrojtjen në 2.7% të PBB-së deri në fund të dekadës, ndërsa objektivi i NATO-s kërkon një rritje më të madhe. Rutte theksoi gjithashtu rolin e Britanisë në mbështetjen e Ukrainës, për të cilën Londra shpenzon rreth 3 miliardë paund në vit për armë.

Britania po modernizon gjithashtu forcat e saj konvencionale dhe po investon miliarda në sistemin bërthamor Trident, i cili kontribuon në parandalimin bërthamor të NATO-s. Megjithatë, shpenzimet e mbrojtjes së Gjermanisë pritet të tejkalojnë ndjeshëm ato britanike në vitet e ardhshme.

Ndërkohë, Kanadaja ka kërkuar zyrtarisht të bashkohet me Joint Expeditionary Force (JEF), një koalicion ushtarak të udhëhequr nga Britania dhe të përbërë nga 10 vende të Evropës Veriore. Kjo lëvizje synon të forcojë bashkëpunimin ushtarak të Kanadasë me Evropën, ndërsa Otava kërkon të diversifikojë lidhjet e saj të mbrojtjes përtej SHBA-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë