Rusia përdori modelin e inteligjencës artificiale Claude të kompanisë Anthropic për të përshpejtuar operacione spiunazhi kibernetik kundër institucioneve ukrainase dhe evropiane, për fushata dezinformimi në Afrikë e Moldavi dhe për zhvillimin e programeve të drejtimit të tufave autonome të dronëve kamikazë, sipas një raporti të kompanisë.
Anthropic tha se ka bllokuar aktivitetet keqdashëse të identifikuara dhe ka ndarë informacionin me autoritetet dhe partnerë të industrisë.
Në një rast të rëndësishëm, grupi haker GTG-20006 përdori Claude për të automatizuar sulme ndaj më shumë se 20 organizatave, përfshirë ministri, agjenci të mbrojtjes dhe inteligjencës, ambasada dhe kompani të industrisë së mbrojtjes. Ukraina ishte objektivi kryesor. Sipas Anthropic, grupi lidhet me Midnight Blizzard, të cilin agjencitë perëndimore të inteligjencës e lidhin me shërbimin rus të inteligjencës së jashtme SVR.
Dezinformim në Afrikë dhe Moldavi
Anthropic identifikoi gjithashtu përdorimin e Claude për prodhimin e përditshëm të përmbajtjeve pro-ruse në Republikën e Afrikës Qendrore, në koordinim me media shtetërore ruse dhe struktura të lidhura me Wagner-in.
Në Moldavi, një ish-drejtues rajonal i rrjetit mediatik rus Sputnik përdori Claude për të përshtatur lajme, sondazhe dhe materiale të opozitës me narrativa pro-Kremlinit.
Claude u përdor edhe për dronë kamikazë
Kompania identifikoi dhe mbylli llogari të zhvilluesve të lidhur me Rusinë, të cilët përdorën Claude Code për të shkruar programe për dronë kamikazë, përfshirë një sistem autonom të testuar në pajisje reale.
Sipas Anthropic, zhvilluesit trajnuan modele AI me pamje nga operacionet luftarake në Ukrainë dhe synonin krijimin e një grupi plotësisht autonome dronësh FPV kamikazë.
Edhe pse Claude nuk është zyrtarisht i disponueshëm në Rusi, zhvilluesit anashkaluan kufizimet duke përdorur serverë virtualë dhe VPN.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje