Një dron hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë, përpara se të rrëzohej nga avionët luftarakë të NATO-s, bëri të ditur presidenti i vendit baltik në orët e para të së martës.
Gitanas Nauseda falënderoi aleancën ushtarake për “reagimin e shpejtë”.
“Me intensifikimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, një gatishmëri e tillë është jetike për rajonin tonë. Së bashku me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, shkroi Nauseda në X.
Radioja kombëtare lituaneze LRT, duke cituar të dhëna paraprake nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave (NKVC), raportoi se droni kishte ardhur nga Bjellorusia fqinje, një aleate e Rusisë. Në momentin kur u rrëzua, ai po fluturonte në drejtim të perëndimit.
Droni ra në një zonë rurale pranë liqenit Kaunas, në qendër të Lituanisë.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, tha se reagimi i NATO-s dërgoi “një mesazh të qartë se NATO qëndron vigjilente, e përkushtuar dhe e gatshme”.
Lituania ndan një kufi me enklavën ruse të Kaliningradit, në brigjet e Detit Baltik, si dhe me Bjellorusinë. Që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, incidente të tilla me dronë në hapësirën ajrore të Lituanisë janë bërë të zakonshme, por raste të ngjashme janë regjistruar edhe në vendet anëtare të NATO-s, Letoni dhe Estoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje