Pacientët në Evropë mund të përballen me pritje më të gjata për disa barna të reja, pasi përpjekjet e SHBA-së për të ulur çmimet e barnave rrezikojnë t’i nxisin kompanitë farmaceutike t’i shtyjnë hedhjet në treg në vendet me çmime më të ulëta- kështu sugjeron një studim i ri.
Majin e kaluar, Presidenti amerikan Donald Trump bëri përpjekje për t’i përafruar çmimet e barnave me nivelet më të ulëta që aplikohen në vendet e tjera të zhvilluara- një praktikë e njohur si modeli i çmimeve sipas parimit të “kombit më të favorizuar” (MFN). Megjithatë, kjo politikë çmimesh mund të ketë pasoja negative.
Pacientët evropianë mund të duhet të presin më gjatë për disa ilaçe të reja, pasi SHBA-ja po i detyron prodhuesit e barnave të ofrojnë çmime që përputhen me ato të vendeve të tjera me të ardhura të larta, si Gjermania apo Franca; kjo sipas një studimi të ri të botuar në revistën ‘The Lancet’.
Studjuesit analizuan 195 ilaçe të mbrojtura me patentë, të cilat së bashku përbëjnë 87,9 miliardë dollarë të shpenzimeve vjetore të SHBA-së. Ata zbuluan se, për tri nga katër ilaçet e studiuara, shuma që kompanitë do të humbnin nga ulja e çmimeve në SHBA do të ishte më e madhe se shitjet e tyre totale vjetore në vendet që shërbejnë si referencë për përcaktimin e çmimeve amerikane.
Për të minimizuar humbjet në SHBA- tregu më i madh farmaceutik në botë- kompanitë “mund të nxiten t’i vonojnë hedhjet në treg në vendet me çmimet më të ulëta të tregut referues”, thanë studiuesit, pasi duke i shtyrë këto hedhje në treg, prodhuesit mund të shmangin detyrimin për të aplikuar të njëjtat çmime të ulëta edhe në SHBA.
“Politikat në SHBA mund të ndikojnë në qasjen ndaj barnave në nivel global,” tha në një deklaratë për shtyp autorja e studimit, Kerstin Vokinger.
Ata që do ta ndjenin përfundimisht këtë ndikim janë pacientët.
“Rreziku është shumë konkret: nëse kompanitë farmaceutike vonojnë hedhjen në treg të barnave në Evropë sepse çmimet evropiane mund të përdoren për të përcaktuar çmimet në Shtetet e Bashkuara, pacientët këtu mund të presin më gjatë për trajtime që janë tashmë të disponueshme diku tjetër,” tha Forumi Evropian i Pacientëve për Euronews Health në një koment me shkrim.
“Për dikë që jeton me një gjendje shëndetësore serioze ose progresive, një pritje shtesë mund të ketë ndikim real në shëndetin dhe cilësinë e jetës së tij.”
Pasojat në Evropë
Evropa ka shënuar një rënie të numrit të barnave të reja të hedhura në treg gjatë muajve të fundit. Agjencia Reuters raportoi në mars se, 10 muaj pas urdhrit ekzekutiv të Trumpit, hedhja e barnave të reja në tregjet e BE-së ra me rreth 35% krahasuar me 10-mujorin e mëparshëm.
Ndonëse nuk është e qartë nëse kjo rënie lidhet drejtpërdrejt me politikat e SHBA-së, në shkurt u njoftua se tërheqja nga tregu e një bari për trajtimin e rasteve veçanërisht të rënda të kolesterolit të lartë mund të ketë ndodhur pikërisht për shkak të politikës së Presidentit amerikan Donald Trump mbi çmimet e barnave.
“Është e vërtetë se edhe në vende të mëdha si Gjermania, shohim kompani që rishqyrtojnë vendimin për të hedhur barna në treg apo kohën kur e bëjnë këtë,” tha për Euronews Alexander Natz, kreu i Eucope-s (organizatë lobuese e sipërmarrësve të bioteknologjisë), duke shpjeguar se situata aktuale i detyron prodhuesit e barnave të mendojnë dy herë para se të hedhin një produkt të ri në treg.
“Nuk duhet të presim që të mbetemi pa qasje në ndonjë ilaç, por duhet të presim që kompanitë t’i marrin vendimet me shumë më tepër kujdes,” shtoi ai.
Natz beson se, për të garantuar që Evropa të ketë barna të reja pa vonesa, qeveritë duhet të jenë të gatshme të shpenzojnë më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje