Operatorët e transportit publik në vend paralajmërojnë reduktimin e flotës së autobusëve me rreth 20-30%, duke nisur nga 1 shtatori 2026, për shkak të vështirësive financiare me të cilat po përballen.
Në një kërkesë drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban shprehen se situata financiare e operatorëve është përkeqësuar ndjeshëm.
Sipas tyre, një nga faktorët kryesorë është rritja e kostove të karburantit, ndërsa problem mbetet edhe mosrealizimi i kompensimeve të kërkuara nga operatorët.
Në letrën drejtuar institucioneve, shoqatat argumentojnë se vijimi i shërbimit me kapacitet të plotë është bërë i papërballueshëm në kushtet aktuale financiare.
“Gjendja financiare e operatorëve ka arritur në një nivel tejet të vështirë, duke ndikuar drejtpërdrejt në mundësinë e tyre për të vijuar ofrimin e shërbimit me kapacitet të plotë”, thuhet në kërkesën e operatorëve.
Reduktimi i flotës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, pasi ulja e numrit të autobusëve në qarkullim mund të sjellë rritje të intervaleve të pritjes dhe ulje të frekuencës së shërbimit në linjat urbane dhe interurbane.
Operatorët theksojnë se reduktimi nuk është një masë e marrë me dëshirë, por një pasojë e vështirësive financiare që, sipas tyre, nuk u lejojnë të operojnë me të gjithë flotën.
Përballë kësaj situate, shoqatat kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për realizimin e kompensimeve dhe mbështetjen lidhur me kostot e karburantit, në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i mëtejshëm i shërbimit.
Operatorët shprehen se do të përpiqen të garantojnë vijimësinë e transportit publik, por paralajmërojnë se operimi me 100% të kapacitetit të flotës nuk është më i përballueshëm në kushtet aktuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje