Biznes

Si e pushtoi pula botën

Shërbehet në kova letre në periferitë amerikane, në tasa me oriz në qendrat tregtare kineze, në dyqanet e shawarmës në Gjirin Persik, në restorantet me pulë peri-peri në Britani, si biryani në Indi dhe në sanduiçe të supermarketeve në mbarë botën. Mund të skuqet, piqet, bëhet në skarë, copëtohet, zihet, grihet, kthehet në nuggets ose përpunohet aq shumë sa të jetë vështirë të dallosh se dikur ishte një shpend.

Pak ushqime udhëtojnë kaq lehtë në ekonominë moderne sa pula.

Një mish që gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX ishte një zgjedhje e shtrenjtë dhe konsumohej nga një pakicë, në shekullin XXI është bërë proteina e preferuar e botës dhe rritja e konsumit të pulës po përshpejtohet. Numri i pulave të prodhuara në mbarë botën u rrit nga 48.3 miliardë në vitin 2006 në 76.2 miliardë në vitin 2023.

Kjo rritje ka ndryshuar si peizazhet bujqësore, ashtu edhe rrugët e qyteteve. Më shumë pula do të thotë më shumë kapanone, qendra çeljeje, fabrika ushqimi, linja therjeje dhe kamionë frigoriferikë, por gjithashtu edhe akses më të gjerë në proteina të lira për konsumatorët që dikur hanin shumë pak mish. Nga Londra në Lagos dhe nga Riadi në Manila, dyqanet e pulës së skuqur dhe menutë e fast-food-eve me shumë produkte pule janë bërë pjesë e zakonshme e ekonomisë ushqimore.

Sa i përket kërkesës, vëzhguesit thonë se pula ka ende shumë hapësirë për t’u rritur. “Jemi shumë larg pikës kulmore të konsumit të pulës”, thotë Glynn Tonsor, ekonomist bujqësor në Kansas State University, i cili drejton Meat Demand Monitor.

Por të njëjtat ferma industriale që furnizojnë oreksin e madh të publikut për pulë po fitojnë me shpejtësi reputacionin e qendrave të ndotjes dhe sëmundjeve. Gripi i shpendëve ka ndërprerë prodhimin dhe tregtinë, ndërsa konfliktet rreth lejeve të ndërtimit dhe kundërshtimi i komuniteteve lokale po e bëjnë më të vështirë ndërtimin e fermave dhe fabrikave të përpunimit që nevojiten për të vazhduar zgjerimin.

“Ekziston një papajtueshmëri midis asaj që njerëzit thonë dhe kundërshtojnë si qytetarë dhe asaj që duan të hanë si konsumatorë”, thotë Jean-Yves Guérot, një fermer shpendësh nga Mayenne në Francë. “Ne jetojmë me këtë kontradiktë çdo ditë.”

Oreksi global për pulën është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë shtatë dekadave të fundit, duke bërë që ajo të kalojë mishin e derrit dhe të viçit dhe të bëhet mishi më i konsumuar në botë.

Azia-Paqësori ka qenë rajoni kryesor që ka nxitur këtë rritje, i ndjekur nga Amerika dhe Evropa.

Dy vende përbëjnë rreth një të tretën e kërkesës globale për pulë: Kina dhe SHBA-ja.

Për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, pula nuk ishte aspak kandidati i dukshëm për t’u bërë mishi i preferuar i botës. Viçi kishte prestigj, ndërsa mishi i derrit kishte prodhim dhe konsum në shkallë të gjerë, veçanërisht në Kinë dhe Evropë. Para se pula të bëhej mishi më i konsumuar në botë, ajo në të vërtetë nuk ishte një biznes mishi. Fermerët i mbanin pulat kryesisht për vezë.

Ekziston “një histori e padiskutueshme që në biznesin ushqimor, veza erdhi e para”, thotë Roger Horowitz, historian i industrisë ushqimore amerikane.

Pulat që haheshin për mish ishin kryesisht pula që nuk prodhonin më vezë ose meshkuj të rinj që shiteshin në pranverë prej këtej vjen edhe shprehja angleze “spring chicken”, që do të thotë “pulë pranverore”.

Në Amerikën e shekullit XIX, Horowitz thotë se pula mund të ishte më e shtrenjtë se viçi.

Por me ardhjen e shekullit XX filloi transformimi i saj, i nxitur nga frigoriferët, hekurudhat dhe rritja e kërkesës urbane. Horowitz thotë se konsumatorët hebrenj në qytete si Nju Jorku, të cilët erdhën në numër të madh nga Evropa Lindore dhe Rusia që nga fundi i shekullit XIX, mbështetën një treg të veçantë të shpendëve të gjallë. Kjo ndodhte sepse rregullat fetare kërkonin që pula të therej, të lahej dhe të kriposjej sipas praktikave kosher pranë vendit ku jetonin njerëzit.

“Duhet t’i përfshish hebrenjtë në këtë histori”, thotë ai. “Në fillim të shekullit XX nuk ishte e mundur të sillje pulë ose mish viçi nga Midwest-i në bregun lindor brenda tri ditësh”, ndaj miliona pula transportoheshin të gjalla nga jugu dhe perëndimi drejt Nju Jorkut, ku theren në fabrika të vogla lokale.

Nga rreth viti 1930, supermarketet e kthyen këtë treg në një treg masiv, duke plotësuar nevojën e tyre për një produkt të standardizuar, të ftohur, të ndarë në porcione dhe të lirë. Kompanitë e shpendëve filluan të ndërtonin fabrika therjeje dhe përpunimi më pranë zonave të prodhimit.

Në vitet 1950, kompani në shtete si Delaware dhe Arkansas po thernin, përpunonin dhe shisnin pula në një treg të ri kombëtar.

E gjithë kjo u bë e mundur edhe nga ndryshimi i vetë pulës. Industria kaloi nga pulat e edukuara për prodhimin e vezëve te pula të krijuara posaçërisht për mish. Të mbështetura nga supermarketet dhe kompanitë e industrisë, konkurset e pasluftës të quajtura “Chicken of Tomorrow” i nxitën fermerët të prodhonin pula me më shumë mish, rritje më të shpejtë dhe përdorim më efikas të ushqimit — pra një pulë të projektuar për epokën e shitjes masive me pakicë.

Ekonomia ndryshoi shpejt. Përmirësimet në mbarështim rritën ritmin e rritjes dhe ndryshuan formën e trupit të pulës. U përmirësua edhe raporti midis ushqimit të konsumuar dhe peshës së fituar. Antibiotikët iu shtuan ushqimit jo vetëm për të kontrolluar sëmundjet, por edhe për t’i ndihmuar pulat të shtonin peshë në mënyrë më efikase. Ciklet e prodhimit u shkurtuan. Çmimi i pulës ra.

Në përgjithësi, thotë Horowitz, “modelet e konsumit ushqimor janë shumë të vështira për t’u ndryshuar”, megjithatë midis viteve 1930 dhe 1960 pula kaloi nga një ushqim i konsumuar në mënyrë të kufizuar në një pjesë qendrore të dietës amerikane.

Sot, Richard Griffiths, president i International Poultry Council, e përshkruan sektorin e shpendëve si “një industri vërtet globale”, ku përdoren metoda të ngjashme për mbarështim, rritje dhe përpunim, nga Brazili në Gjermani dhe nga Australia në vende të tjera.

SHBA-ja ishte pionierja e modelit industrial të prodhimit të pulës, por sot nuk e dominon më këtë industri. Brazili, eksportuesi më i madh në botë, eksportoi rreth 4.9 milionë tonë mish pule në vitin 2024, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, të analizuara nga Financial Times. Kjo është një rritje nga rreth 910 mijë tonë në vitin 2000. Eksportet amerikane, përkundrazi, kanë rënë vitet e fundit.

Në vitin 2022, sipas FAO-s, pula kaloi mishin e derrit si mishi më i prodhuar në botë.

Pula i përshtatet këtij modeli global sepse mund të ndahet në pjesë dhe çdo pjesë mund të shitet atje ku ka vlerën më të madhe. Për shembull, këmbët e pulës, që kanë pak vlerë në supermarketet perëndimore, janë eksporte të rëndësishme drejt Kinës, ku konsumohen në dim sum, në gatime të shërbimit ushqimor dhe në produkte të gatshme për konsum.

Kërkesa po rritet si në vendet e pasura, ashtu edhe në tregjet në zhvillim. Kjo ndihmohet nga çmimet e larta të mishit të viçit, dietat me shumë proteina, zgjerimi i fast-food-eve dhe aftësia e jashtëzakonshme e pulës për t’iu përshtatur pothuajse çdo kuzhine, feje dhe niveli çmimi.

Pula po fiton madje edhe pjesë tregu në Japoni, pavarësisht popullsisë në rënie dhe rritjes së dobët ekonomike.

Çmimet e larta të viçit e kanë ndihmuar pulën në afat të shkurtër, por avantazhet e saj në afat të gjatë janë më strukturore: pula është e lirë, kërkon relativisht pak ushqim, rritet shpejt dhe përballet me më pak kufizime kulturore ose fetare sesa derri apo viçi.

Ajo po fiton terren ndaj mishrave rivalë në tregje të pjekura si Japonia, Kanadaja dhe pjesë të Evropës, ndërsa në pjesë të mëdha të Azisë, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine tashmë është proteina e preferuar.

Kjo seri shqyrton se si pula u bë proteina e preferuar e botës dhe tensionin midis mbajtjes së kostove të ulëta dhe mirëqenies së kafshëve.

Në nivel global, prodhimi është rritur me rreth 2–2.5% në vit gjatë dy dekadave të fundit, por në tre-katër vitet e fundit është përshpejtuar në më shumë se 3% në vit, thotë Mulder.

Ky ndryshim është i dukshëm edhe te kompanitë që dikur e kishin ndërtuar biznesin e tyre rreth ushqimeve të tjera. McDonald’s, që për një kohë të gjatë është identifikuar me hamburgerët e viçit, tha në raportin e tij të fundit vjetor se pula ishte një kategori globale rreth dy herë më e madhe se viçi dhe po rritej më shpejt. Kompania e ka zgjeruar sanduiçin e saj të pulës së skuqur McCrispy në pothuajse të gjitha tregjet kryesore.

Në SHBA, ndoshta tregu më i pjekur në botë, edhe nëse konsumi vendas do të stabilizohej, prodhimi mund të vazhdonte të rritej nëse eksportet do të shtoheshin, thotë Tonsor. “Nuk jam i gatshëm të them se kemi arritur kulmin.”

Por faza tjetër nuk do të jetë thjesht transportimi i më shumë pulave të ngrira nga eksportuesit më të mëdhenj drejt pjesës tjetër të botës.

Mulder thotë se zinxhirët lokalë të furnizimit tani po rriten më shpejt se tregtia ndërkombëtare, një ndryshim që ai e përshkruan si kalim “nga globale në lokale”.

Arsyeja është pjesërisht politike. “Siguria ushqimore dhe siguria e burimeve kanë qenë një prioritet kryesor” në shumë tregje në rritje, thotë ai. Qeveritë duan prodhim vendas të pulës “për arsye të sigurisë ushqimore, por edhe për arsye punësimi”.

Kjo po i nxit vendet e Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës të investojnë në ferma, fabrika ushqimi, qendra çeljeje dhe impiante përpunimi. Arabia Saudite, thotë ai, e ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas të shpendëve, pavarësisht sfidës së prodhimit të ushqimit në shkretëtirë.

“Po shohim që Kina po rrit ndjeshëm prodhimin e saj vendas. Ajo dëshiron të bëhet eksportuese”, thotë Griffiths. Në të njëjtën kohë, kërkesa e brendshme vazhdon të rritet për shkak të zgjerimit të restoranteve. Yum China hapi 457 restorante të reja neto të KFC-së në tremujorin e parë të vitit 2026, duke e çuar numrin e restoranteve të KFC-së në Kinë në 13,454 deri në fund të marsit 2026.

Por siguria ushqimore në sektorin e shpendëve po përplaset me rreziqet mjedisore dhe politike.

Krahasuar me viçin, pula është efikase dhe shkakton më pak emetime. Por ndërsa prodhimi rritet, rriten gjithashtu emetimet totale, plehu, mbetjet e fermave dhe presioni mbi sistemet e prodhimit të ushqimit për kafshët.

Aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë ndikuar në ndërgjegjen publike përmes imazheve tronditëse të të ashtuquajturave “pula Franken” dhe fermave intensive të errëta e të mbipopulluara.

Në Mbretërinë e Bashkuar, këto shqetësime tashmë kanë kaluar nga sloganet e aktivistëve në proceset e planifikimit urban dhe gjykata.

River Action, një grup fushate mjedisore, fitoi në vitin 2025 një vendim të Gjykatës së Lartë sipas të cilit plehu i pulave nga fermat industriale të shpendëve mund të klasifikohej si mbetje, dhe jo si nënprodukt bujqësor. Më vonë, grupi ndihmoi në rrëzimin e lejes për një njësi të madhe intensive të rritjes së pulave në zonën ujëmbledhëse të lumit Severn.

Kështu, kufizimi i fazës tjetër të rritjes së pulës mund të mos jetë mungesa e kërkesës, por leja për të zgjeruar prodhimin.

Në Evropë, thotë Mulder, kompanitë e shpendëve po hasin vështirësi për të siguruar leje për ferma të reja dhe kapacitete të reja përpunimi.

Një projekt gjigant i kompanisë ukrainase të shpendëve MHP u braktis në Kroaci këtë vit pas protestave të shumta, ndërsa një qeveri lokale në Mallorca vitin e kaluar refuzoi lejen për një fabrikë për mbarështimin dhe përpunimin e pulave pas një vale të madhe kundërshtimesh.

Në fund, ky kundërshtim mund të bëhet faktori që kufizon përhapjen e mëtejshme të pulës: popullsitë janë të uritura për mish të lirë, por janë gjithnjë e më pak të kënaqura me mënyrën se si prodhohet ai.

“Nëse jemi seriozë për sigurinë ushqimore dhe prodhimin vendas, na duhen më shumë hapësira për ferma dhe infrastrukturë… Në fund të fundit, nuk po i marrim ato”, thotë Griffiths./FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë