Gazeta Si – Drejtësia franceze ka refuzuar kërkesën për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit shqiptar Ermal Beqiraj, rreth një muaj pas arrestimit të tij.
Beqiri kërkoi të enjten ndryshimin e masës së paraburgimit, por gjykata argumentoi se burimet e tij financiare dhe licenca e pilotit mund t’i mundësonin t’u shmangej shpejt autoriteteve.
Avokati i tij e cilësoi ndalimin si “të paligjshëm”, duke argumentuar se Beqiri, para incidentit me avionin privat më 27 korrik, kishte mësuar nga mediat në Shqipëri se ishte shpallur në kërkim nga SPAK pë dosjen “AKSHI” dhe kishte informuar autoritetet franceze. Argumentet, megjithatë, nuk bindën gjykatën.
Duke folur para drejtësisë franceze, biznesmeni i kërkuar nga SPAK për çështjen e tenderëve të AKSHI-t tha se nuk kishte zgjedhur vendin më të mirë për t’u fshehur.
“Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Po, lëviz shumë, në Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën. Edhe nëse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as më të mirin për taksat…”.
SPAK e ka shpallur në kërkim Beqirin dhe ka kërkuar ekstradimin e tij në Shqipëri. Sipas hetimeve, autoritetet shqiptare dyshohet se kanë identifikuar llogari bankare me një vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një avion privat, automjete dhe një kështjellë në Francën veriore, e vlerësuar rreth 2.6 milionë euro.
SPAK ka ngritur ndaj tij disa akuza, nga heqja e paligjshme e lirisë dhe konkurrenca e paligjshme, deri te kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, si dhe pastrimi i parave.
Beqiri u arrestua pasi fluturoi me avionin e tij privat në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor të Penly, në Francë.
Para autoriteteve franceze, ai deklaroi se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se, në momentin kur kaloi mbi central, po fliste në telefon me nënën e tij.
Për incidentin, ai u dënua me 7 mijë euro gjobë, ndërsa vijon të mbahet në paraburgim në pritje të procedurave për ekstradimin.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare kërkojnë që biznesmeni të kthehet në Shqipëri, ndërsa procedurat për ekstradimin e tij vijojnë në Francë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje