Nga Gazeta ‘Si’– António Costa ka nisur një tur katërjavor në kryeqytetet e Bashkimit Europian, në përpjekje për të vlerësuar nëse 27 liderët e BE-së janë të gatshëm të kapërcejnë dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje për buxhetin e përbashkët të bllokut për periudhën 2028-2034.
Presidenti i Këshillit Europian do të drejtojë negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar, ndërsa synimi është që marrëveshja të arrihet deri në fund të këtij viti. Suedia nuk është përfshirë në tur për shkak të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Costa nis takimet të martën me kryeministrin sllovak Robert Fico dhe atë estonez Kristen Michal. Të mërkurën ai do të takohet me liderët e Letonisë dhe Lituanisë, ndërsa të enjten me kryeministrin çek Andrej Babiš.
Qëllimi i vizitave është krijimi i një panorame të qartë mbi qëndrimet e secilit vend dhe identifikimi i një rruge që mund të çojë drejt marrëveshjes përfundimtare në dhjetor.
Sipas një zyrtari të lartë europian, arritja e marrëveshjes brenda këtij viti është thelbësore, pasi nëse negociatat shtyhen për vitin e ardhshëm, mund të rrezikohet që buxheti i ri shtatëvjeçar të mos jetë funksional më 1 janar 2028.
“Duhet të jemi gati për të nisur me vrull në vitin 2028”, tha zyrtari.
Në tryezë, buxheti prej gati 2 trilionë eurosh
Në qendër të negociatave është propozimi i Komisionit Europian për një buxhet prej afro 2 trilionë eurosh, më i madhi në historinë e BE-së. Një propozim i mëvonshëm i Qipros e uli shumën me rreth 2%, në përpjekje për të gjetur një kompromis mes vendeve me qëndrime të kundërta.
Por edhe kjo zgjidhje u kundërshtua nga vendet e pasura të BE-së, të njohura si “kursimtarët” (frugalët), të cilat kërkojnë shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve, veçanërisht për bujqësinë dhe politikat e kohezionit.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se këto shkurtime janë të domosdoshme dhe e ka cilësuar projektbuxhetin aktual si të papranueshëm. Ai pritet të presë liderët e vendeve “kursimtare” të enjten.
Në anën tjetër janë “Miqtë e Kohezionit”, një grup prej 17 shtetesh që kërkojnë më shumë fonde për bujqësinë dhe politikat e kohezionit, të cilat i konsiderojnë ndër politikat më të prekshme të BE-së për qytetarët.
Pesë liderët e parë që Costa do të takojë gjatë turit të tij i përkasin pikërisht këtij grupi.
Përplasja kryesore: sa para dhe nga do të vijnë?
Deri tani, vendet anëtare kanë arritur njëfarë progresi vetëm për strukturën e përgjithshme të buxhetit, e cila parashikon më shumë fleksibilitet për reagimin ndaj krizave.
Por dy çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura: sa i madh do të jetë buxheti dhe si do të financohet ai.
Suedia ka kërkuar një shkurtim prej 20% të buxhetit, ndërsa Spanja ka propozuar marrjen e miliarda eurove përmes borxhit të përbashkët europian. Kjo e fundit kundërshtohet fort nga vendet “kursimtare”.
Një tjetër pikë e nxehtë janë burimet e reja të të ardhurave të BE-së, përfshirë taksa në nivel europian që do të plotësonin kontributet e vendeve anëtare. Komisioni Europian ka propozuar pesë burime të reja, ndërsa Parlamenti Europian ka shtuar edhe tre të tjera.
Diplomatët europianë pranojnë se, duke pasur parasysh ambiciet e BE-së për investime në teknologji, mbrojtje dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, një kombinim i taksave të reja duket gjithnjë e më i pashmangshëm. Në diskutime përfshihet edhe mënyra se si do të financohet mbështetja për Ukrainën pasi kredia prej 90 miliardë eurosh të përfundojë vitin e ardhshëm.
Megjithatë, secili shtet ka qëndrimin e vet për madhësinë e buxhetit dhe numrin e taksave të reja që duhet të vendosen.
Kjo e ka kthyer procesin në një ekuacion të vështirë, ku shumë liderë kanë vendosur vija të kuqe, veçanërisht ata që përballen me zgjedhje dhe kanë frikë nga reagimi i votuesve.
Marrëveshja vendimtare pritet në dhjetor
Turi i Costas do të ndihmojë presidencën irlandeze të Këshillit të BE-së në përgatitjen e një propozimi të rishikuar, i cili pritet të paraqitet në tetor.
Liderët do ta diskutojnë atë në një samit në fund të muajit, ndërsa Brukseli po përgatit edhe një takim të jashtëzakonshëm në fund të nëntorit, që mund të hapë rrugën për marrëveshjen përfundimtare në samitin vendimtar të dhjetorit.
Për miratimin e buxhetit të ri të BE-së kërkohet unanimiteti i të gjitha vendeve anëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje