Politike

Dita e dytë e Ramës në Pogradec, në tryezë ‘bilanci’ i qeverisë

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama pritet të vijojë këtë të hënë në Pogradec takimet me drejtuesit e mazhorancës, këtë herë me fokus te kabineti qeveritar.

Pas diskutimeve të së dielës me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqe dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, në tryezë pritet të ulen ministrat, të cilëve u është kërkuar të paraqesin bilancin e punës dhe objektivat për periudhën në vijim.

Takimi shënon praktikisht rikthimin e qeverisë në aktivitetin e plotë politik dhe administrativ pas pushimeve verore dhe vjen në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë puna e kryer deri më tani nga secila ministri, problematikat e evidentuara dhe prioritetet që do të udhëheqin veprimtarinë e qeverisë gjatë muajve të ardhshëm.

Mbledhja me ministrat vjen menjëherë pas takimit që Rama zhvilloi të dielën në Pogradec me drejtuesit politikë të PS-së të 12 qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

Diskutimet e ditës së parë u përqendruan fillimisht te dokumenti “Besa”, për të cilin pjesëmarrësit dhanë sugjerimet e tyre, ndërsa më pas vëmendja kaloi te funksionimi dhe koordinimi i strukturave politike dhe administrative.

Një prej çështjeve të ngritura ishte pikërisht marrëdhënia mes hallkave të ndryshme të mazhorancës dhe administratës.

Rama kërkoi mendimet e të pranishmëve për mënyrën se si mund të përmirësohet bashkëpunimi mes ministrave, drejtuesve politikë të qarqeve, deputetëve dhe drejtorëve rajonalë.

Në këtë kuptim, takimi i sotëm me kabinetin shihet edhe si vijim i diskutimit të nisur një ditë më parë: nga organizimi politik në territor te funksionimi i ekzekutivit dhe realizimi i objektivave qeverisëse.

Ministrat pritet të raportojnë mbi punën e bërë në sektorët që drejtojnë dhe çështjet që kërkojnë ndërhyrje në muajt e ardhshëm. Në tryezë pritet të jetë edhe bashkërendimi mes ministrive dhe strukturave në nivel vendor, një temë që mori hapësirë edhe gjatë diskutimeve të së dielës.

Takimet e këtij formati janë përdorur edhe më herët nga Rama në prag të nisjes së një sezoni të ri politik, si një moment bilanci për punën e qeverisë dhe përcaktimi të prioriteteve për periudhën pasuese.

Pavarësisht spekulimeve për lëvizje të mundshme në kabinet, deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për ndryshime në përbërjen e qeverisë.

Takimet në Pogradec paraprijnë edhe një tjetër moment të rëndësishëm për Partinë Socialiste.

Në ditët e para të shtatorit pritet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, forum ku tradicionalisht diskutohen organizimi i forcës politike, drejtimi i mazhorancës dhe objektivat për sezonin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë