Gazeta Si – Senati i Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar emërimin e Todd Blanche-it si Prokuror të Përgjithshëm të SHBA-ve (një rol i ngjashëm me atë të Ministrit të Drejtësisë), pas një periudhe të vështirë gjatë së cilës ishte e paqartë nëse ai do të siguronte votat e mjaftueshme.
Blanche është një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Donald Trump, pasi ka shërbyer si avokat i tij që nga viti 2023.
Emërimi i tij minon më tej pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë, një institucion që Trump ka kohë që kërkon ta vërë nën kontroll.
Emërimi i Blanche-it u miratua me 50 vota pro dhe 49 kundër. Republikanët gëzojnë një shumicë të ngushtë në Senat, me 53 nga 100 vendet.
Megjithatë, dy republikane – Susan Collins nga Maine dhe Lisa Murkowski nga Alaska – kishin deklaruar se nuk do ta mbështetnin Blanche-in, duke iu bashkuar të gjithë demokratëve në qëndrimin kundër.
Blanche tashmë po shërbente si Prokuror i Përgjithshëm në detyrë që nga prilli i kaluar, pasi Trump shkarkoi Pam Bondi-n – thuhet se për shkak të pakënaqësisë me mënyrën se si ajo trajtoi publikimin e dokumenteve lidhur me “çështjen Epstein”, e cila ishte shndërruar në një çështje të madhe politike për administratën.
Roli i Prokurorit të Përgjithshëm është thelbësor për sistemin amerikan: personi në këtë post shërben si kreu politik i Departamentit të Drejtësisë dhe i të gjitha agjencive të tij të ndryshme – përfshirë FBI-në – vepron si këshilltari kryesor ligjor i Presidentit dhe përfaqëson qeverinë federale në çështje ligjore.
Ndër përgjegjësitë e tjera, departamenti heton rastet e korrupsionit federal dhe mbikëqyr zbatimin e ligjeve zgjedhore.
Blanche është 52 vjeç; në vitin 2023, ai la postin e tij në një studio ligjore prestigjioze të Nju-Jorkut për të mbrojtur Trumpin në gjyqin e Stormy Daniels.
Në atë çështje, Trumpi u akuzua për falsifikimin e regjistrave të fushatës së vitit 2016, me qëllim fshehjen e pagesave të bëra ndaj aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes së saj lidhur me një takim seksual që të dy kishin pasur një dekadë më parë. Përfundimisht, Trumpi u shpall fajtor, por nuk mori asnjë dënim.
Blanche vazhdoi të shërbente si avokat i Trumpit deri në vitin 2024, kur presidenti e zgjodhi atë si Zëvendësprokuror të Përgjithshëm.
Shumë njerëz tani besojnë se, si Prokuror i Përgjithshëm, Blanche do të jetë i gatshëm t’i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese të Trumpit – i cili, që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, ka kërkuar ta përdorë Departamentin e Drejtësisë për qëllimet e veta dhe për të ndëshkuar kundërshtarët e tij.
Për shembull, gjatë muajve që Blanche shërbeu si ushtrues detyre i Prokurorit të Përgjithshëm, Departamenti i Drejtësisë bëri një përpjekje të re për të ngritur akuza ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili kishte udhëhequr hetimin mbi përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2016 në favor të Trumpit.
Ai gjithashtu miratoi një fond të diskutueshëm prej 1.8 miliardë dollarësh për të kompensuar individët që besonin se ishin ndjekur penalisht në mënyrë të padrejtë nga administrata e mëparshme – përfshirë ata që kishin marrë pjesë në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Plani shkaktoi kritika të ashpra dhe, dy javë më vonë, Blanche njoftoi se ai do të tërhiqej. Gjatë diskutimeve lidhur me emërimin e tij, disa senatorë republikanë kërkuan një angazhim me shkrim për anulimin e fondit, duke deklaruar se përndryshe nuk do të votonin pro tij.
Blanche mbikëqyri gjithashtu një marrëveshje të diskutueshme që pengonte IRS-in – autoritetin tatimor të SHBA-ve – të hetonte deklaratat tatimore të Trumpit, të disa anëtarëve të familjes së tij dhe të bizneseve të tyre.
Para konfirmimit të tij, Murkowski – një nga dy senatorët republikanë që votuan kundër tij – lëshoi një deklaratë ku thuhej: “Vendi ka nevojë për një Prokuror të Përgjithshëm që do të frenojë impulset më të këqija të kësaj administrate. Shpresoj se Blanche është i aftë ta bëjë këtë, por nuk besoj se do të ndodhë kështu”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje