Nga Gazeta ‘Si’- Gjumi i mirë mund të ketë një ndikim më të madh tek sukseset akademike dhe jeta sociale e adoleshentëve sesa dieta, aktiviteti fizik apo koha para ekranit, sipas një studimi të ri.
Pushimet verore u japin nxënësve një mundësi të rrallë për të rikuperuar orët e humbura të gjumit pas një viti shkollor me ngarkesë të lartë. Por të dhënat tregojnë se shumë adoleshentë nuk po flenë mjaftueshëm dhe kjo mund të ndikojë në shëndetin e tyre mendor dhe në rezultatet në shkollë.
Studimi i ri analizoi ndikimin e katër faktorëve të stilit të jetesës- cilësisë së gjumit, kohës para ekranit, aktivitetit fizik dhe dietës- tek lidhja mes shëndetit mendor dhe aftësive akademike e sociale te fëmijët e moshës 10 deri në 13 vjeç.
Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 6 mijë pjesëmarrës për performancën në shkollë dhe mbi 7 mijë për problemet sociale. Ata zbuluan se fëmijët dhe adoleshentët me simptoma depresioni, ankthi ose përvoja të ngjashme me çrregullime psikotike kishin rezultate më të dobëta si në aspektin akademik, ashtu edhe në marrëdhëniet me të tjerët.
Megjithatë, një pjesë e madhe e kësaj lidhjeje shpjegohej nga zakonet e jetesës, veçanërisht nga cilësia e gjumit.
“E prisnim që gjumi të ishte i rëndësishëm, por nuk prisnim që ai të dallohej kaq qartë mbi faktorët e tjerë të stilit të jetesës, veçanërisht mbi kohën para ekranit”, tha Jason Smucny, autori kryesor i studimit nga Universiteti i Kalifornisë në Davis.
Sipas studiuesve, mungesa e gjumit lidhet me lodhjen gjatë ditës, vështirësi në përqendrim dhe dobësim të aftësive për organizimin dhe zgjidhjen e problemeve- të gjitha këto janë thelbësore për suksesin në shkollë.
Edhe në aspektin social, gjumi luan një rol të rëndësishëm. Çrregullimet e gjumit mund të rrisin izolimin social dhe irritimin, duke e bërë më të vështirë krijimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme.
“Prindërit, mësuesit dhe mjekët shpesh përqendrohen te simptomat si ankthi dhe depresioni, por ajo që ka më shumë rëndësi për të rinjtë dhe familjet e tyre është se si këto simptoma ndikojnë në jetën e përditshme”, tha Tara Niendam, autore e lartë e studimit.
Sipas saj, gjumi nuk zgjidh çdo problem të shëndetit mendor, por krijimi i rutinave të shëndetshme të gjumit është një mënyrë praktike për të mbështetur mirëqenien emocionale të fëmijëve dhe funksionimin e tyre të përditshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje