Politike

PD çon në Kushtetuese marrëveshjen me SHBA-të

Nga Gazeta ‘Si’– Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kontrollin e ligjit ratifikues të marrëveshjes së huasë prej 302 milionë eurosh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk kundërshton marrëveshjen me SHBA-të, por mënyrën se si ajo është miratuar nga mazhoranca, duke pretenduar se gjatë procedurës janë kryer shtatë shkelje kushtetuese.

Sipas Bardhit, PD e ka paralajmëruar që gjatë seancës plenare mazhorancën se procedura e ndjekur ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe se, nëse do të vijonte me këtë rrugë, çështja do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky paralajmërim nuk ishte për të bërë politikë. Ishte një paralajmërim real dhe i sinqertë. Ishte përpjekja e fundit për të ndaluar shumicën parlamentare që të mos përfshinte edhe marrëdhënien më të rëndësishme strategjike të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në një procedurë antikushtetuese”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, opozita kishte kërkuar respektimin e afateve kushtetuese, të drejtën e deputetëve për t’u njohur me dokumentacionin dhe standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të mëparshme.

Bardhi deklaroi se PD e mbështet marrëveshjen në parim, pasi sipas tij ajo i shërben modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së investimeve në mbrojtje dhe përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë si anëtare e NATO-s.

“Problemi nuk është marrëveshja. Problemi është mënyra antikushtetuese se si shumica vendosi ta miratonte marrëveshjen”, tha ai.

Shtatë pretendimet e PD-së për shkelje kushtetuese

Sipas Partisë Demokratike, gjatë procesit të miratimit të marrëveshjes janë cenuar disa të drejta parlamentare dhe kushtetuese.

Shkelja e parë, sipas PD-së, lidhet me faktin se deputetëve nuk iu dha mundësia të njiheshin me marrëveshjen përpara votimit.

Shkelja e dytë ka të bëjë me mungesën, sipas opozitës, të raportit që justifikonte efektet financiare të marrëveshjes dhe përdorimin e fondeve publike.

Shkelja e tretë lidhet me mosrespektimin e afateve për njoftimin e rendit të ditës dhe pamundësinë e deputetëve për të zhvilluar një debat të plotë parlamentar apo për të paraqitur amendamente.

Sipas Bardhit, shkelja e katërt lidhet me përdorimin e procedurës së përshpejtuar brenda një dite, një praktikë që PD pretendon se është shpallur më herët antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me Rregulloren e Kuvendit.

Shkelja e pestë, sipas opozitës, lidhet me pretendimin se qeveria krijoi një urgjencë artificiale për miratimin e marrëveshjes, pasi sipas PD-së kishte pasur kohë të mjaftueshme për ndjekjen e procedurës normale parlamentare.

Shkelja e gjashtë lidhet me të drejtën e një pjese të deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese përpara ratifikimit të marrëveshjes. PD pretendon se procedura e ndjekur e ka pamundësuar këtë kontroll në kohë.

Ndërsa shkelja e shtatë, sipas demokratëve, lidhet me faktin se marrëveshja është trajtuar si informacion i klasifikuar, duke penguar publikimin e saj në Fletoren Zyrtare dhe, sipas tyre, duke krijuar problem për hyrjen e saj në fuqi.

Bardhi deklaroi se PD i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit ratifikues dhe pezullimin e tij.

“Qëllimi ynë është të mbrojmë kushtetutshmërinë në vend dhe që marrëveshja më e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të miratohet sipas Kushtetutës”, tha ai.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, nëse Gjykata Kushtetuese e shqyrton çështjen me përparësi, marrëveshja mund të miratohet sërish në Kuvend përmes një procedure të rregullt dhe pasi deputetët të njihen me përmbajtjen e saj.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk forcohet duke mohuar dhe shkelur Kushtetutën. Ajo forcohet duke respektuar shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe standardet që përbëjnë themelin e demokracive perëndimore”, përfundoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë