Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përgatitet të shpallë një paketë të re tarifash doganore ndaj rreth 60 vendeve që prej kësaj jave, ndërsa administrata e tij përballet me paralajmërime të brendshme për ndikimin që masa mund të ketë në ekonomi përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Sipas Financial Times, zyrtarët amerikanë kanë përgatitur disa skenarë, pasi tarifat e përkohshme globale prej 10% skadojnë në fund të kësaj jave. Paketa e re parashikon tarifa nga 10% deri në 12.5% për mallrat që importohen nga dhjetëra vende.
Megjithatë, pas dyerve të mbyllura, këshilltarë të administratës i kanë rekomanduar Trumpit të ruajë stabilitetin në marrëdhëniet tregtare dhe të respektojë marrëveshjet ekzistuese, për të shmangur tronditje ekonomike në prag të zgjedhjeve.
Pas hetimeve mbi furnizimin me lëndë të para kritike dhe komponentë të industrisë së aviacionit, këshilltarët e presidentit kanë sugjeruar që Washingtoni të vazhdojë negociatat me partnerët tregtarë, në vend të vendosjes së tarifave të reja.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë po vijon hetime të tjera tregtare, të cilat mund t’i krijojnë presidentit bazë ligjore për të vendosur tarifa edhe më të larta në të ardhmen.
Hetimet e nisura në mars, në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, përfshijnë një numër ekonomish të mëdha, mes tyre Bashkimin Evropian, Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Vietnamin, Tajvanin, Meksikën, Bangladeshin, Singaporin, Zvicrën, Norvegjinë, Indonezinë, Malajzinë, Kamboxhian dhe Tajlandën.
Lajmi vjen një ditë pasi Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 50% për një gamë të gjerë mallrash të importuara nga Kanadaja, një vendim që pritet të hyjë në fuqi 30 ditë pas shpalljes dhe që shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve tregtare mes Washington-it dhe Otavës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje